Dëshmitari Imer Imeri ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK) në Hagë. Gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari tha se ish-prokurori Sylë Hoxha ka thënë në televizion që njerëzit që i vret shteti, rastet e tilla nuk zbulohen kurrë.
“Sylë Hoxha- prokuror në Kosovë, ish-ushtrues i detyrës se Kryeprokurorit të Kosovës, unë e kam degju në televizor edhe e kam këqyr dhe ka thanë që njerëzit që i vret shteti nuk zbulohen se me deshtë Policia e Kosovës i zbulon për një javë”, tha Imeri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, përpara kësaj deklarate, pasi ekipet tjera mbrojtëse nuk patën pyetje, pyetje shtesë pati prokurorja Vega Iodice e cila tha se çfarë perceptimi sjellin mediat dhe gazetarët për dëshmitarët që shkojnë në Hagë për të dëshmuar pasi që Imeri gjithashtu tha se ka edhe shumë dëshmitar që janë vrarë vetëm por të mos dhënë dëshmi.
“Ne si dëshmitar po na quajnë tradhtarë. Ne nuk jemi tradhtar. Unë nuk jam tradhtar që dëshmoj për vëllain tim, për vetën time por edhe të gjithë ata të tjerët që dëshmojnë për të dashurit e tyre nuk janë tradhtar, por na e kanë ngjitë këtë gjoja që ne po konsultohemi me BIA-në serbe. Të nderuar gjykatës e të gjithë ju, ne jemi të vetëdijshëm. Jemi të familjeve të mira kombëtare dhe atdhetare. Ne jemi të vetëdijshëm që Serbia na i ka vra 12-13 mijë njerëz. Ne jemi të vetëdijshëm që Serbia na i ka kallë 150 mijë shpia. Ne jemi të vetëdijshëm që na i kanë dhunu 20 mijë gra. Qysh na konsultohemi me ata”, tha Imeri.
Pyetje për dëshmitarin pati edhe gjyqtari Christoph Barthe i cili kërkoi që të kalohet në seancë private dhe me kaq përfundoi seanca e sotme për të vazhduar nesër me dëshmitarin tjetër.
Përpara se te mbyllet seanca, kryegjyqtari i tërhoqi vërejtjen ekipeve mbrojtëse pasi kishin kërkuar shtatë orë për këtë dëshmitar, ndërsa kundërpyetjet e tyre i përfunduan për një orë.
Vlen të theksohet se dëshmitari u mor në pyetje nga mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq i cili i tha atij se disa prej njerëzve që kanë qenë të burgosur bashkë me atë kanë dëshmuar se e kanë dëgjuar Sabit Gecin që t’i kanë bërë atij pyetje për përfshirjen e tij në vdekjen e Abedin Rexhes.
“Betohem në Zot që jo”, tha Imeri duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Mishetiq.
Imeri shtoi se këto të gjitha po i dëgjon sot në Hagë pasi edhe në kohën kur ishte larguar për në Kroaci nuk i kishte dëgjuar këto gjera.
“Po kjo s’ka ndodhë atje e as nuk e ka mdegju prej kërkujt. Tana po i dëgjoj këtu te ju. Atje kurr jo dhe me vjen që po e nisini një… që nuk ekziston. Kjo nuk pritet prej jush se nuk jëni të vërtetë. A jeni kanë në Kosovë najherë? Ju lutem!”.
Më pas, me pyetje vazhdoi mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokates Alagnedra e cila ia prezantoi dëshmitarit një artikull ku e implikonte të akuzuarin në një vrasje.
Sipas artikullit dëshmitari kishte thënë se Jakup Krasniqi ka shkuar tek Xhevat Isufi në Vidishiq dhe i ka thënë se çka është kjo fotografi e Rugovës e që më pas Isufi ja ka kthyer se është e presidentit. Sipas artikullit që u prezantua, dëshmitari ka shtuar se Krasniqi i ka thënë Isufit ose hiqe fotografinë ose do të vras e që pas tri ditësh ishte vrarë Isufi.
Dëshmitari tha se edhe kryetari për të drejtat e njeriut në Mitrovicë, Halit Barani ka vërtetu që ai është vra prej shqiptarëve dhe se shokët e tij i kanë thënë që Krasniqi ka vepru është përpara ase ai të vritej.
Dëshmitari pohoi se në një emision televiziv, djali i Isufit ishte kyçur duke i thënë dëshmitarit se është duke shpifur. Kjo video u lëshua edhe në gjykatë.
“Po me kujtohet se e kanë thirrë në telefon dhe e kanë detyru me i fol këto fjalë… Ju lutem. Ja kanë ndrru punën për me ia mbyllë gojën këtij djalit. Ka shumë këso rastesh ku iu kanë dhanë vend pune veç me ua mbyllë gojën”, tha dëshmitari më pas.