Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Netanyahu e kritikon Britaninë për pezullimin e eksportimit të disa armëve në Izrael

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën se Qeveria e Britanisë së Madhe mori “vendim të turpshëm” kur i pezulloi licencat e eksportimit të disa llojeve të armëve në Izrael.

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, tha të hënën se Qeveria britanike i ka pezulluar 30 prej 350 licencave të eksportimit të armëve me Izraelin, për shkak të rrezikut se ato mund të përdoren për të kryer shkelje të rënda të ligjit humanitar ndërkombëtar.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Vendimi, i cili u mor një ditë pasi forcat izraelite i nxorën trupat e gjashtë pengjeve nga një tunel në Rripin e Gazës, u dënua shpejt nga një numër i ministrave izraelitë.

“Ky vendim i turpshëm nuk do ta ndryshojë përkushtimin e Izraelit për ta mposhtur Hamasin [grupin e shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian], i cili është organizatë terroriste që vrau egërsisht 1.200 njerëz më 7 tetor, përfshirë 14 shtetas britanikë”, tha Netanyahu në një postim në rrjetet sociale.

“Hamasi ende po i mban mbi 100 pengje, përfshirë 5 shtetas britanikë. Në vend se të qëndrojë përkrah Izraelit, një demokraci që mbron veten nga barbarizmi, vendimi i gabuar i Britanisë vetëm sa do ta forcojë Hamasin”, tha Netanyahu.

Ai shtoi se “me apo pa armët britanike, Izraeli do ta fitojë këtë luftë dhe do ta sigurojë të ardhmen tonë të përbashkët”.

Pak pasi Partia Laburiste i fitoi zgjedhjet në korrik, Lammy tha se do ta rishikonte shitjen e armëve për Izraelin, për t’u siguruar se shitja është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Eksporti i armëve britanike përbën më pak se 1 për qind të totalit të armëve që importon Izraeli, prandaj ministri tha se pezullimi nuk do të kishte ndikim material në sigurinë e Izraelit dhe se Britania vazhdon ta mbështes të drejtën izraelite për vetëmbrojtje.

Liderët izraelitë dhe palestinezë janë duke u hetuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi në jug të Izraelit, ku u vranë 1.200 njerëz.

Përgjigja e Izraelit në Gazë ka bërë që më shumë se 40.000 palestinezë të vriten, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./rel