Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vrasja e policit në Zllatar, flet dëshmitari

 
   

Në këtë rast, Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H, në një ndenjë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së, në Zllatar, në shkurt të vitit të kaluar.

Dëshmitari tha se në momentin e ngjarjes kritike ka qenë në këmbë, mbështetur për muri dhe se i akuzuari kishte qenë afër tij në krahun e majtë, kurse tani i ndjeri kishte qenë në anën e majtë të hyrjes.

Menxhiqi shtoi se nuk i kujtohet se sa ka qenë distanca në mes të të akuzuarit Mehmeti dhe tani të ndjerit L.H.

Po ashtu, dëshmitari Menxhiqi ka thënë se nuk ka pasur ndonjë pengesë dhe ka mundur që t’i shoh qartë tani të ndjerin dhe të akuzuarin, por që nuk ka mundur të dëgjojë se çfarë po flisnin për shkak të zhurmës së muzikës.

Ai deklaroi se për shkak të krismës së madhe të armës, ishte kthyer instiktivisht për të shikuar në drejtim të të akuzuarit Mehmeti.

Tutje, dëshmitarit Menxhiqi iu u prezantua një foto, ku i akuzuari Mehmeti dhe një zyrtar tjetër policor ia kishin drejtuar armën në kokë njëri-tjetrit. Tha se gjatë ligjërimit në Akademi, nuk iu kanë ligjëruar për këtë.

Lidhur me prezantimin e kësaj foto, mbrojtësi i të akuzuarit Mehmeti, avokati Labinot Buzuku kishte vërejtje me arsyetimin se kjo provë nuk është administruar dhe se nuk kanë njohuri nëse kjo fotografi ka të bëjë me rastin apo ditën kritike.

Gjithashtu, Menxhiqi tha se në natën kritike kishte konsumuar alkool, por që ka pasur vetëdije të mjaftueshme, për të kuptuar dhe perceptuar qartë se çfarë kishte ndodhur.

Prokurori i rastit Arben Hoti i ka kundërshtuar pyetjet e avokatit Buzuku, me arsyetimin se dëshmitari Menxhiqi është dëshmitar i Prokurorisë dhe se mbrojtësi i të akuzuarit mund të pyetet vetëm rreth pyetjeve të konfirmimit apo mohimit.

Po ashtu, Menxhiqi ka deklaruar se nuk ka dëgjuar më herët se kanë pasur probleme dhe se para shkrepjes së armës me të cilën është gjuajtur tani i ndjeri L.H, nuk ka dëgjuar krisma tjera të armës.

Gjithashtu, Menxhiqi ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur problem me armën e tij dhe se nuk ka dëgjuar për një gjë të tillë. Tha se nuk ka parë armë të ekspozuar nga dikush në natën kritike.

Po ashtu, avokati Buzuku ka propozuar që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe e njëjta t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak.

Këtë propozim, prokurori Hoti e kundërshtoi, duke theksuar se vazhdojnë të qëndrojnë arsyet e potencuara nga ana e gjykatës, duke marrë parasysh faktin e pasojës së shkaktuar dhe dënimin e kësaj vepre penale që paraqet rrezik potencial për arratisje.

Ai tha se konsideron se cilado masë tjerë me të cilën kufizimi i lirisë së lëvizjes do të lihej në vullnetin e të akuzuarit, nuk do të ishte siguri e pranisë së tij në procesin gjyqësor.

Lidhur me këtë, kryetari i trupi gjykues Ertan Sejfulla tha se për shkak se kemi një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, nuk do të vendosin për këtë çështje.

Ndryshe, i akuzuari  Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale”  kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatartë Prishtinës.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, ElitThaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimidhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.