Së paku 12 emigrantë janë mbytur të martën pasi anija e tyre u fundos në përpjekje për ta kaluar Kanalin Anglez për në Britani të Madhe, njoftoi ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin.
Ai shtoi se operacionet për shpëtim janë duke vazhduar për gjetjen e dy personave të zhdukur.
Darmanin tha se do ta vizitojë vendin e ngjarjes, në afërsi të qytetit Boulogne-sur-Mer, pasditen e së martës.
Luftimi i emigrimit të jashtëligjshëm ka qenë prioritet i qeverive të Francës dhe të Britanisë së Madhe.
Më shumë se 2.000 njerëz kanë mbërritur në Britani përmes anijeve të vogla gjatë shtatë ditëve të fundit, sipas të dhënave të qeverisë britanike.
Javën e kaluar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, u zotuan se do të punojnë ngushtë së bashku për t’i shkatërruar rrugët e kontrabandës me emigrantë.
Ministrja e Brendshme e Britanisë, Yvette Cooper, e quajti vdekjen e emigrantëve “incident tejet tragjik dhe i tmerrshëm” dhe tha se puna për rrënimin e “grupeve të rrezikshme dhe kriminale dhe për forcimin e sigurisë kufitare është jetike dhe duket të vazhdojë me shpejtësi”.
Kanali është njëra prej rrugëve më të dendura detare të transportit të mallrave në botë dhe rrymat e ujit në të janë të fuqishme, gjë që e bën shumë të rrezikshëm udhëtimin me anije të vogla.
Në gusht, dy njerëz u gjetën të vdekur pasi një anije që po barte emigrantë në përpjekje për ta kaluar Kanalin, hasi në vështirësi./rel