Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vizituar Drejtorinë Rajonale të Policisë në Komunën e Ferizajt, ku është mbajtur një takim i rëndësishëm me përfaqësuesit e policisë nga Ferizaj, Shtimja, Shtërpca, Kaçaniku dhe Hani i Elezit.
Nëpërmjet një postimi në Facebok bëhet e ditur se në fokus të diskutimeve ishte adresimi i rasteve të dhunës në familje, sfidat që paraqiten në trajtimin e tyre, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional për të ofruar mbrojtje dhe mbështetje të duhur për të mbijetuarat.
Gjatë takimit, ministrja Haxhiu theksoi rëndësinë e trajtimit serioz të rasteve të dhunës në familje dhe nevojën për të përmirësuar mekanizmat e bashkëpunimit mes institucioneve përkatëse. Ajo shprehu mbështetjen e saj të plotë për punën e përditshme të policisë në mbrojtjen e qytetarëve dhe garantoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për adresimin e sfidave. Mbështetja dhe bashkëpunimi mes institucioneve është thelbësor për të siguruar që çdo rast i dhunës në familje të trajtohet me seriozitetin dhe urgjencën që meriton.
“E vlerësoj angazhimin tuaj të përditshëm në mbrojtjen e qytetarëve tanë dhe ju siguroj se keni mbështetjen time të plotë në këtë drejtim”, u shpreh ministrja Haxhiu gjatë takimit.
Statistikat e raportuara tregojnë për një numër të konsiderueshëm të rasteve të dhunës në familje në Komunën e Ferizajt. Që nga janari i këtij viti, janë raportuar 188 raste, çka nënvizon nevojën për një qasje të koordinuar dhe të vendosur në përballjen me këtë problem.
Ministrja Haxhiu, gjithashtu, ka vizituar edhe Strehimoren në komunën e Ferizajt, nga ku shprehu gatishmërinë për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në përforcimin e mekanizmave ligjor dhe institucional që mbrojnë të drejtat e të mbijetuarave dhe sigurojnë një trajtim dinjitoz dhe efektiv për çdo rast të dhunës në familje, dhe po ashtu ndihmën e pa ndërprerë për institucionet e strehimoreve kudo në komunat e Kosovës.