Zëdhënësi i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit gjatë luftës në Kosovë, Kushtrim Gara, ka ngritur shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit nga pala serbe në lidhje me lokacionet e varrezave masive, të cilat dyshohet se fshehin krime të luftës kundër shqiptarëve.
Një prej këtyre lokacioneve është deponia e mbeturinave afër fshatit Kozhle, në jugperëndim të Serbisë.
Sipas Garës, ky vend mund të lidhet me zhdukjen e civilëve shqiptarë gjatë luftës së viteve 1998/99, bazuar në dëshmi të siguruara nga dëshmitarë të ndryshëm.
“Informacionet për këtë lokacion janë siguruar nga dëshmitarë të ndryshëm dhe përgatitjet në terren kanë filluar më 26 gusht. Ajo çfarë mbetet shqetësuese është mungesa e gatishmërisë së palës serbe për bashkëpunim në këtë proces”, ka deklaruar Gara në RTV Dukagjini.
Ai theksoi rëndësinë e qasjes në arkivat e brigadave serbe të cilat operonin në regjionin e Novi Pazarit dhe Rashkës, për të zbardhur fatin e personave të zhdukur.
Gara po ashtu nënvizoi sfidat që përballen me kërkimin e lokacioneve të varrezave masive, për shkak të mungesës së gatishmërisë nga autoritetet serbe për të bashkëpunuar.
“Serbia vazhdon politizimin e skajshëm të këtij procesi,” tha ai, duke kërkuar qasje në dokumentacionin dhe arkivat ushtarake të brigadave të përfshira në krimet e luftës.
Gërmimet vlerësuese ende nuk kanë filluar në lokacionet e dyshuara, përfshirë deponinë afër Kozhles, por Gara theksoi se përgatitjet janë duke u bërë për të nisur këtë proces, me ndihmën e mekanizmave ndërkombëtarë.
Pavarësisht përpjekjeve për të zbuluar të vërtetën dhe për të nxjerrë drejtësinë në dritë, Gara shprehu zhgënjimin për përpjekjet e Serbisë për të mohuar dhe fshehur krimet e kryera, duke përmendur edhe glorifikimin e kriminelëve të luftës nga autoritetet serbe.