Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kosova rrezikon të mbetet jashtë Procesit të Berlinit, shkak masa e sigurisë me Serbinë

 
   

Brenda më pak se 10 ditësh, përfaqësuesi i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin vizitoi dy herë Kosovën.

Herën e dytë foli në publik për vendimmarrjen në CEFTA, që është bllokuar për shkak të mospajtimeve të Kosovës në lidhje me përfaqësimin e saj në këtë mekanizëm.

Ani pse duket që Kosova arriti një marrëveshje me Sarrazin në lidhje me këtë aspekt, kushti i Serbisë ndaj Kosovës për heqjen e ndalimit të importit të mallrave serbe, bllokoi prapë këtë marrëveshje.

Kështu, kishte thënë amabasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde që me anë të një postimi në platformën X tha se ka tërhequr vërejtjen se nëse është e nevojshme do të vazhdohet pa Kosovën në këtë proces.

Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në samitin që do të mbahet me 14 tetor, është e rëndësishme të ketë rezultate konkrete drejt synimeve të Procesit të Berlinit.

Duke folur për kritikat e emisarit special gjerman ndaj Kosovës në lidhje me CEFTA-n, Zulfaj thotë se Kosova është treguar konstruktive në këtë proces duke kontribuar për një zgjidhje kompromisi.

“Procesi i Berlinit nuk ka një listë të gjërave që janë vetëm në proces, por merr nga iniciativat e ndryshme, duke përfshirë edhe ato që janë në kuadër të tregut të përbashkët rajonal, por ndonjëherë kontribuon edhe në zgjidhjet e çështjeve bilaterale…Besoj se në këtë drejtim është deklarata e Sarrazin që lidhet me vendimet që udhët t’i marrin në CEFTA, ku shumica e tregut të përbashkët rajonal varet nga mënyra sesi funksionon CEFTA….Ka të bëjë me vendime që janë në CEFTA dhe janë një listë që po presin vendimmarrje”, tha ai.

Kurse ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se nëse Kosova nuk e zgjidhë këtë çështje me përfaqësuesin gjerman atëherë ka vetëm tri alternativa.

“E para është izolimi, alternativa e dytë është ecja përpara e Ballkanit Perëndimor dhe CEFTA-së me formulën e re 6 minus 1, dhe e treta definitivisht fuqizimi i Ballkanit të Hapur i cili zanafillën e ka në Beograd”, tha ai.

Gërxhalliu thotë se Kosova mund të mbetët jashtë, nëse nuk reflekton.

“Procesi të vazhdohet pa Kosovën, të kemi një formulë të re të funksionimit të Ballkanit Perëndimor, me 6 minus 1 dhe ai minusi të jetë Kosova, dhe nëse vazhdohet në këtë mënyrë do të fuqizohet Ballkani i Hapur”, shtoi ai.

Për të koordinuar agjendën e samitit në tetor, emisari gjerman Sarrazin ka qëndruar javën e kaluar dhe këtë javë në vendet e rajonit dhe në Kosovë.