Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës për sulmin në Banjskë të Zveçanit, për çka tha se në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimet për mos ngritjen e kësaj aktakuze.
Ajo këto komente i bëri në konferencën për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Haxhiu: Ne mirëpresim ngritjen e aktakuzave për kryeterroristin Milan Radojçiq dhe terroristët tjerë
“Ne në vazhdimësi kemi shprehur shqetësimet tona sepse nuk po ngritët aktakuza për krye-terroristin, Milan Radojçiq në 2021 ju e mbani mend që urdhër-arresti ishte tërhequr për atë ende nuk kemi përgjigje se pse ka ndodhur tërheqja e urdhër-arrestit. Ndoshta po të ishte Milan Radojçiq në ndjekje nga institucionet aso kohe dhe mos të kishte tërheqje nuk do të kishte ndodhur as sulmi në Banjskës, dhe po ashtu edhe për terroristët tjerë të cilët kanë qenë pjesë e sulmit terrorist në Banjskë. Kemi shprehur shqetësimet tona sepse dihet qëllimet që ka pasur Serbia, dihet që ai grup terrorist i financuar nga Serbia dhe është trajnuar atje në bazat e tyre të trajnimit prandaj edhe kemi kërkuar një hetim ndërkombëtar për këto baza të trajnimit dhe ne mirëpresim ngritjen e aktakuzave për kryeterroristin Milan Radojçiq dhe terroristët tjerë”, u shpreh ajo.
Gjatë ditës së sotme Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.