Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gashi: Presioni i Kosovës të jetë te hetimi i organizimit të pushtimit, jo te ekstradimi i Radojçiqit

 
   

Kreshnik Gashi nga BIRN-i ka theksuar se Serbia duhet të marrë përgjegjësi për hetimin e sulmit të armatosur në Banjskë, duke kërkuar që fokusi i institucioneve të Kosovës të mos jetë vetëm në ekstradimin e Milan Radojçiqit, por në zbardhjen e plotë të organizatorëve dhe urdhërdhënësve të këtij sulmi.

“Presioni ynë nuk duhet të jetë me ekstradu Milan Radojçiqin, por me hetu organizmin e pushtimit të Kosovës dhe ndarjes së Kosovës, pasi Prokuroria po thotë që këta kanë dashur me e nda Kosovën,” ka deklaruar Gashi.

Sipas tij, është thelbësore që Serbia të nisë një hetim të thellë për të zbuluar se kush i ka dhënë armët dhe urdhrat grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës.

Gashi ka shtuar se Prokuroria serbe duhet të hetojë kush ia mundësoi këtij grupi veprimet në Serbi dhe të çojë hetimet deri në fund.

Ai gjithashtu ka theksuar se institucionet ndërkombëtare duhet të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për të ndëshkuar akterët që kanë kërcënuar rendin kushtetues të Kosovës.

“Këtu është kërcënuar edhe Rezoluta 1244 e OKB-së, dhe duhet të dërgohet në nivel më të lartë juridik, pasi kanë kërcënuar pjesën e vendit tonë që monitorohet nga KFOR-i,” ka përfunduar Gashi.