Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Presidentja: Shoh mundësi për Kosovën si anëtare e NATO-s dhe BE-së

 
   

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar Gjermaninë dhe shtetet e tejra të NATO-s për ndërhyrjen e tyre në Kosovë, në vitin 1999.

Në fjalimin e saj në Postdam të Gjermanisë pasi e mori çmimin “M100 Media Aëard” përmendi edhe ish-ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Scharping të cilin e falënderoi poashtu për kontributin e tij ndaj Kosovës.

“Në këtë përpjekje, vlera e aleatëve dhe partnerëve tanë më të afërt është e domosdoshme. Kosova e ka mësuar nga dora e parë fuqinë transformuese dhe ekzistenciale të aleancave të forta. Ne jemi ata që jemi sot sepse, në vitin 1999, Gjermania, së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s, u mblodhën në mbështetje të luftës sonë çlirimtare për t’i dhënë fund regjimit gjenocidal të Millosheviqit”.

“Më 24 mars të vitit 1999, avionët e Bundeswehr-it iu bashkuan fushatës ajrore të NATO-s për të ndalur vuajtjet dhe shkatërrimet që ndodhnin atëherë në Kosovë. Ministri Scharping, çfarë tjetër mund të përshkruajë më mirë atë që po kalonim atëherë sesa fjalët në librin tuaj: “Wir dürfen nicht vergessen” (vir dyrfen niht fergesen) (“Ne nuk duhet të harrojmë”). Dhe ne nuk do ta bëjmë kurrë. Ne do të kujtojmë gjithmonë, sepse si nuk mundemi? Si nuk mundemi? Ne jemi një brez fëmijësh që u rritëm në një sistem të ngjashëm aparteidi që vazhdoi të shndërrohej në një luftë gjenocidale kundër ekzistencës sonë”.

“Shembulli juaj i tregoi botës se përballë vështirësive, demokracitë qëndrojnë të bashkuara. Sot, në të njëjtën frymë, ushtarët gjermanë që shërbejnë në Kosovë me krenari mbajnë trashëgiminë e veprimit të bashkuar në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme. Për këtë, ne falënderojmë mbi 50.000 ushtarë gjermanë që kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999, duke përfshirë edhe kryetarin e nderuar të Komunës së Potsdamit, z. Schubert. Ju e keni rrezikuar jetën tuaj për të mbrojtur atë që kemi arritur së bashku. Ju keni rrezikuar gjithçka që më në fund të kemi një shans për paqe, ndaj ju falënderojmë me përulësi të gjithëve”, ka thënë Osmani.

Më pas, ajo përmendi edhe anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO, duke thënë se Kosova është në gjendje të kthejë mbrapshtë atë që i jepet.

“Pra, kur flas për ambiciet e Kosovës për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s, shoh një mundësi për të ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të fuqishme, më të sigurt si një anëtare e barabartë e familjes euroatlantike. Por më shumë se kaq, unë shoh një Kosovë që është në gjendje dhe t’ua kthejë mbrapshtë atë që ia jepni, t’ua kthejë atë shërbim”, u shpreh Osmani.