Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Forcat serbe, 5 km larg Kosovës”, koloneli shqiptar i bindur: Vuçiq s’ka për ta kaluar kurrë atë vijë

 
   

Kolonel Çlirim Toci është shprehur se fjalimi i sotëm i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk kishte ndonjë risi.

Komentet Toci i bëri përmes një lidhjeje për emisionin ‘Balkan Talks’ me gazetarin Franko Egro, në Euronews Albania, ku tha se Vuçiç i druhet një përplasjeje me Perëndimin.

Ai tha gjithashtu se nga marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999, ka një vijë ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë, ku forcat serbe duhet të qëndrojnë 5 kilometra larg.

Sipas tij, Vuçiç dhe ushtria serbe nuk kanë për ta kaluar kurrë këtë vijë, por vetëm do të ushtrojnë presion sistematik ndaj Kosovës në forma të ndryshme.

“Perceptimi im për fjalimin e Vuçiç është viktimizimi që ai bën gjithmonë në sytë e opinionit të brendshëm publik, por edhe në sytë e opinionit ndërkombëtar. Fjalimi ishte një fjalim linear, që nuk solli ndonjë gjë të re. Vuçiç e shiti në Perëndim veten se mund të jetë ai shpëtimtari i vetëm për një paqe të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit.

Po ashtu një tjetër pikë ishte konfrontimi që Vuçiç i shmanget me Perëndimin. U tha se Vuçiç do të deklaronte se Kosova është një territor i pushtuar. Por unë e kam thënë se Vuçiç nuk mund ta bëjë këtë sepse i druhet një përplasjeje me Perëndimin.

Integriteti i Kosovës ruhet nga NATO dhe marrëveshja e Kumanovës e 1999 e garanton këtë. Ka një vijë ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë dhe nga kjo vijë ndarëse çdo lloj force e armatosur serbe duhet të jetë 5 kilometra larg dhe këtë Vuçiç nuk ka për ta kaluar asnjëherë”, tha Toci.