Shërbimet e urgjencës janë në gatishmëri nga përmbytjet në Evropën Qendrore dhe Lindore pasi reshjet e rrëmbyeshme frynë lumenjtë dhe dëmtuan mijëra shtëpi.
Stuhia Boris rezultoi vdekjeprurëse në Rumani, ku katër persona humbën jetën gjatë përmbytjeve në rajonin juglindor të Galatit. Në Republikën Çeke, përmbytjet kanë çuar në evakuime dhe 51,000 familje në zonat veriore të vendit janë goditur nga ndërprerjet e energjisë, thotë kompania çeke e energjisë CEZ.
Polonia evakuoi gjithashtu disa njerëz nga Glucholazy, një qytet afër kufirit çek, pasi një lumë doli nga brigjet e tij.
“Ne po përballemi përsëri me efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat janë gjithnjë e më të pranishme në kontinentin evropian, me pasoja dramatike,” tha të shtunën presidenti rumun Klaus Iohannis.
Reshjet ekstreme po bëhen më të shpeshta në Evropë, si në pjesën më të madhe të botës, për shkak të ndryshimeve klimatike.
Një atmosferë më e ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi, gjë që mund të çojë në reshje më të mëdha shiu.
Kryetari i Slobozia Conachi, një fshat në rajonin e Galatit të Rumanisë, tha se 700 shtëpi ishin përmbytur.
“Kjo është një katastrofë me përmasa tragjike,” tha Emil Dragomir.
Në Glucholazy, në rajonin jugperëndimor të Polonisë, Opole, zjarrfikësit grumbulluan thasë me rërë ndërsa banorët u evakuuan.
Një përpjekje e ngjashme po zhvillohet në Krakov, qyteti i dytë më i madh i Polonisë, ku banorëve u janë ofruar thasë me rërë për mbrojtje nga përmbytjet. Në qytetin e Ëroclaë mijëra banorëve iu desh të përdornin shkallët e blloqeve të larta sepse ashensorët u mbyllën si një masë paraprake e sigurisë nga përmbytjet, raportuan mediat lokale.
Në Republikën Çeke, një digë shpërtheu të shtunën në rajonin e Bohemisë Jugore të vendit. Ministri i Mjedisit Petr Hladik u kërkoi atyre në zonat më të goditura të përgatiten për të lënë shtëpitë e tyre.
Kryeministri çek Petr Fiala tha se vendi po përgatitet për “një fundjavë të vështirë”. Autoritetet kanë ngritur mure mbrojtëse me thasë rëre dhe barriera metalike. Ndeshjet e futbollit në dy ligat kryesore të vendit të planifikuara për këtë fundjavë u anuluan, përcjell TCh.