Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Një sulm izraelit në një shkollë vret 22 persona, thotë Ministria e Shëndetësisë e Gazës

Një sulm izraelit në një shkollë në veri të Gazës vrau të paktën 22 persona më 21 shtator, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar një qendër komanduese të Hamasit– grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – në atë që dikur ishte një shkollë.

Sipas ministrisë, 30 të tjerë u plagosën në sulmin ndaj shkollës në zonën Zeitoun të Gazës. Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Ende nuk është e qartë në cilin spital janë dërguar të vdekurit dhe të plagosurit.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Ushtria izraelite deklaroi më parë se kishte goditur “qendrën komanduese dhe të kontrollit të Hamasit, që ishte vendosur brenda një kompleksi që më parë ka shërbyer” si shkollë. Ata thanë se kishin marrë masa për të kufizuar dëmtimin e civilëve, përfshirë përdorimin e municioneve të sakta dhe mbikëqyrjen ajrore.

Që nga shpërthimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit, ushtria izraelite ka goditur disa shkolla, të mbushura me dhjetëra mijëra palestinezë të larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të ofensivave dhe urdhrave të evakuimit të Izraelit. Sipas Kombeve të Bashkuara, 90 për qind e palestinezëve në Gaza janë zhvendosur.

Ushtria izraelite vazhdimisht ka akuzuar Hamasin se operon nga brenda infrastrukturës civile në Gaza, përfshirë shkolla, objekte të OKB-së dhe spitale.

Më herët këtë muaj, një sulm izraelit goditi një shkollë në kampin e refugjatëve Nuseirat, duke vrarë 14 persona. Ushtria izraelite tha se po shënjestronte militantët e Hamasit që po planifikonin sulme nga brenda shkollës, shkruan REL.

Në korrik, sulmet ajrore izraelite goditën një shkollë për vajza në Deir al-Balah, duke vrarë të paktën 30 njerëz që strehoheshin brenda. Ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar një qendër komanduese të Hamasit që përdorej për të drejtuar sulme dhe për të ruajtur “sasi të mëdha armësh”.

Lufta filloi kur luftëtarët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, në një sulm më 7 tetor në Izraelin jugor. Ata rrëmbyen rreth 250 njerëz dhe ende mbajnë peng rreth 100. Fushata e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 41.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk bën dallim në shifra midis luftëtarëve dhe civilëve.

Gjithashtu të shtunën, Ministria e Shëndetësisë së Gazës tha se pesë punonjës të saj u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën nga zjarri izraelit që goditi magazinat e ministrisë në zonën Musbah në jug.

Tensionet u rritën të premten pasi një sulm ajror izraelit në një lagje të Beirutit në Liban vrau dhjetëra njerëz, përfshirë civilë dhe Ibrahim Akilin, kreun e forcave elitë Radwan të Hezbollahut. Po ashtu u vra edhe Ahmed Wahbi, një tjetër komandant i lartë në krahun ushtarak të grupit.

Sulmi ndodhi disa orë pasi Hezbollahu nisi një nga bombardimet më të ashpra ndaj veriut të Izraelit në gati një vit luftimesh. Sistemi i mbrojtjes me raketa “Iron Dome” i Izraelit arriti të ndalonte shumicën e raketave.