Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gashi: Në Banjskë, dështoi skenari i Serbisë për destabilizim të Kosovës

 
   

Nesër shënohet një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku. Njëmbëdhjetë muaj pas sulmit, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, prej të cilëve 3 janë në paraburgim, ndërsa të tjerët janë në arrati dhe të lirë në Serbi.

Njohësi i fushës së sigurisë dhe ish-ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, deklaroi se Serbia kishte për qëllim realizimin e skenarit të destabilizimit të Kosovës.

Ai, në emisionin “Lajmet e Fundit” në RTK, tha se përmes de-funksionalizimit të Kosovës, Serbia ka tentuar të fitojë pikë në rrafshin diplomatik. Gashi theksoi se Policia e Kosovës, përkatësisht njësia anti-terror, nuk e lejoi që të realizohej plani i Serbisë.

Sipas tij, zgjedhja e objektit fetar në Banjskë ishte bërë me qëllim nga grupi terrorist, për të bërë që Policia e Kosovës të hezitojë të sulmojë. Ai theksoi se, në rast të gjuajtjes ndaj objektit fetar, faji do të bartet mbi institucionet e Kosovës.