Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Banjska, lufta disa orëshe e Kosovës me grupin e armatosur të serbëve – çfarë dihet një vit më vonë

 
   

24 shtatori i para një viti kishte zbardhur me lajmin për vrasjen e një polici të Kosovës nga “sulmues profesionistë me maska e të armatosur me armë të rënda”. Teksa njoftonte për incidentin, Kryeministri Kurti thoshte se në “këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë”.

Në orët e vona të asaj dite të diel, kur u shfaqen pamjet e kapura nga droni, doli se sulmuesit ishin një grup serbësh të mbledhur rreth Milan Radojiçiq, i cili u identifikua një ditë më vonë. Në përballje me ta, pala kosovare atë ditë vrau tre pjesëtarë të tyre. Aktin e serbëve Vuçiq e quajti rebelim ndërsa Kosova terrorizëm dhe agresion.

Një vit më pas Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 anëtarëve të grupit të cilët i akuzon se tentuan ta aneksojnë veriun. Një vit pas incidentit nuk është se ka më shumë njohuri për atë se sa që dihej në ditët e para. Për ata që s’merren me konspiracione, Banjska është simbol i asaj se çfarë plane ka Serbia ndaj Kosovës, ndërsa për dikë tjetër shihet edhe si dëshmi se Kosova mund t’i bëjë ballë sulmeve të tilla.

Banjska, fshati i vogël i Zveçanit ishte një lokalitet relativisht i panjohur deri para një viti. Sot ai priti shumë vizitorë. Krerë e zyrtarë të shtetit shkuan atje për ta nderuar policin e vrarë në njëvjetorin e sulmit.

Një rrugë e atij fshati mori emrin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra atë ditë.

Kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e zyrtarë të tjerë vizituan sot familjen e policit të vrarë dhe ishin në Banjskë për homazhe në vendin ku ai u vra.

Në hyrje të fshatit, një tabelë u vendos skaj një rruge që tashmë do ta ketë një emër të ri: “Afrim Bunjaku”.

“Banjska e shtatorit të vitit 2023 ka qenë një plan për ta sulmuar Kosovën, ka qenë një agresion kundër sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, paqes, sigurisë dhe kushtetushmërisë dhe pikërisht për këtë arsye, meqenëse këtë ne nuk e harrojmë asnjëherë, sot në këtë vend zbuluam tabelën e cila shënon emërtimin e ri të kësaj rruge pra ‘Afrim Bunjuaku, sipas vendimit të mbrëmshëm të Qeverisë së Koisovës”, tha Kurti.

Konjufca tha se Afrim Bunjaku “dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcënohet se si duhet të jepet jeta dhe si të duhet vetëmohohet individi për të mirën e përgjithshme, për lirinë tonë, e cila duhet të kultivohet pandërprerë për të gjithë ne” dhe u bë shembull “edhe për vëllezërit dhe motrat e tij që vazhdojnë detyrën në Policinë e Republikës së Kosovës sesi duhet të veprojë njeriu në momentet vendimtare kur e kërkon shteti dhe Republika”.

Presidentja Vjosa Osmani tha se “rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm”.

Bashkimi Europian tha se pret që Serbia të ndërmarrë hapa të nevojshëm për t’u siguruar që të dyshuarit për kryerjen e sulmit vdekjeprurës kundër Policisë së Kosovës, të japin llogari.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier e nderoi policin e vrarë duke kërkuar që “autorët dhe të gjithë ata që u përfshinë në atë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës”.

Dita e sulmit

Njësitet për reagim të shpejtë të Policisë së Kosovës i vërejnë dy kamionë pa targa të vendosur në urën në hyrje të fshatit Banjskë në Zveçan për ta bllokuar qarkullimin. Ishte ora 02:34 pas mesnates, atë të dielë të 24 shtatorit 2023.

Tri njësi të tjera nisen për në atë lokacion dhe posa afrohen, ballafaqohen me një sulm të organizuar nga pozicione të ndryshme dhe me arsenal armësh nga më të ndryshmet, përfshirë granata dhe zolla.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku vritet dhe kolegu i tij, Alban Rashiti plagoset. Lëndohen policët Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

“Ditë e rëndë për vendin tonë”, thotë kryeministri Albin Kurti mëngjesin e asaj dite, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, duke alarmuar se “Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”, thoshte ai. Sulmet po vazhdonin.

Presidentja Vjosa Osmani alarmonte se “po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës”, duke shprehur besimin “në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e quante sulmin “agresion të hapur kundrejt Kosovës”, duke kërkuar dënimin e Serbisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Krerët e shtetit ishin mbledhur të nesërmen në një mbledhje komemorative, për ta nderuar policin e vrarë. Për Afrim Bunjakun u nda urdhri më i lartë i vendit, “Hero i Kosovës”.

Arsyetimi i Vuçiqit

Pasi nuk foli gjithë atë ditë, në fund të saj presidenti i Serbisë doli në një konferencë për media, duke thënë se sulmi ndodhi pasi “disa serbë të Kosovës” u rebeluan, megjithëse Prokuroria e Kosovës thoshte se disa sulmues që u arrestuan ishin shtetas të Serbisë. Disa të tjerë, përfshirë kreun e grupit, Milan Radoiçiq, kishin arritur të iknin në Serbi.

Ndërsa tregonte se “tre serbë nga Kosova u vranë, dy u plagosën rëndë dhe ka frikë për vrasjen edhe të personit të katërt”, Vuçiq thoshte se “fajtori i vetëm për atë që ndodhi në Kosovë është Albin Kurti”.

Atë ditë e akuzoi edhe Perëndimin për, siç thoshte, “hipokrizinë” e tij kur bëhet fjalë për Kosovën.

Qeveria e Serbisë e pati shpallur 27 shtatorin ditë zie për, siç thoshte, “ngjarjet tragjike” në Kosovë.

Në Kosovë, Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi “shpalli” tri ditë zie në komunat me shumicë serbe.

Arsenal lufte

Policia ekspozoi arsenalin e armëve të konfiskuara në Banjskë. Kishte raketahedhës, granatahedhës, shumë pushkë automatike, snajperë, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë…

Shumica e armëve dhe municioneve të konfiskuara, u gjet se prodhoheshin në fabrikat serbe dhe ish-jugosllave të armëve.

Radoiçiq e merr përgjegjësinë, lihet i lirë

Pa u bërë një javë pas sulmit, Milan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, përmes avokatit të tij, Goran Petronijeviq. Dha dorëheqja nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.

“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time politike”, thuhej në letër.

Pak ditë më pas u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash penale, përfshirë trafikimin e armëve dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme, por të nesërmen u lirua me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila tha thjesht se ia ka ndaluar të shkojë në Kosovë.

Ky ishte sinjali se kërkesa e Kosovës që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin te organet e drejtësisë në Prishtinë nuk do të plotësohej, siç pati konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) në dhjetor të vitit të kaluar lëshoi fletarrestim për Milan Radoiçiqin, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Aktakuza

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti më 11 shtator të këtij viti aktakuzë ndaj daj 45 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, e cila është mirëpritur nga ndërkombëtarët.

Aktakuza i ngarkon sulmuesit për terrorizëm dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Aktakuza 158 faqeshe thotë se ky grup ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Prokuroria posedon 34 dosje me prova, mes tyre video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnjë e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve, etj.

Milan Radoiçiqi akuzohet edhe për financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.

Të akuzuarit përshkruhen si “të trajnuar në mënyrë profesionale” dhe me role të ndryshme brenda grupit, nga ato organizative deri te drejtuesit e aktiviteteve terroriste. Ata, siç thuhet në aktakuzë, kanë hyrë ilegalisht në Kosovë nga Serbia me dhjetëra vetura, “disa prej tyre të blinduara dhe të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake”.

Sulmi kishte vazhduar deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e këtij grupi është arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Republikën e Serbisë”, siç thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Qeveria i ka akuzuar vazhdimisht prokurorët për mungesën e një aktakuze për rastin e Banjskës.

“Nuk e kam parë ende aktakuzën, por jam i bindur që ka mundur të ngritet shumë më herët dhe sot të ndodhemi në një situatë të re. Por, siç thotë populli, më mirë vonë se kurrë. Duhet ta shohim përmbajtjen e saj”, deklaroi kryeministri Albin Kurti pasi aktakuza u dorëzua në gjykatë.

Kështu deklaroi edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, por tha se ajo “është aktakuzë që mendoj se për nga definicioni i çështjeve që i ka ngritur ka goditur në shenjë”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është shprehur i pakënaqur. Ai i tha Top Channel se “është për çudi se si në aktakuzë nuk përfshihen zyrtarët e Serbisë të cilët kanë qenë drejtpërdrejtë të implikuar në këtë rast”.