Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kthjellime dhe temperatura të larta, parashikimi i motit për sot

Moti i kthjellët dhe temperaturat e larta do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të territorit, ku më të dukshme kthjellimet do të jenë përgjatë vijës bregdetare. Pjesa e dyte e ditës do të sjellë vranësira të lehta e kalimtare në pjesën më të madhe të territorin, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat Lindore.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 11°C vlera minimale deri në 31°C maksimalja në rang territori.

Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 40 km/h nga drejtimi jugor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 3 ballë.

Kosova

Pjesa e parë e ditës në territorin e Kosovës do të jetë nën dominimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, duke bërë që të ketë mbizotërim të motit të kthjellët ndërsa orët e pasdites do të sjellin kalime vranësirash të lehta, ku më të dukshme vranësirat do të paraqiten në zonat jugore dhe jugperëndimor, por nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 9°C vlera minimale deri në 25°C maksimalja në rang territori. Era do të fryjë mesatare por herë pas here e fortë me shpejtësi deri në 45 km/h nga drejtimi kryesisht jugor.

Maqedonia e Veriut

Gjatë ditës së premte, republika e MV do të paraqitet nën ndikimin e kthjellimeve dhe temperaturave relativisht të larta në pjesën më të madhe të territorit. Kjo situatë meteorologjike do të vijojë deri vonë pasdite, ku priten kalime të vranësirave nëpër të gjithë MV, por më të theksuara në zonat përgjatë shtrirjes lindore por mundësia për reshje është thuajse zero. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 10°C vlera minimale deri në 27°C maksimalja në rang territori. Ndërkohë era do të fryjë e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 40 km/h nga drejtimi jugor.

Europa

Europa Jugore do të përfshihet nga masa ajrore të ngrohta nga Jugperëndimi i kontinentit duke sjellë mot të kthjellët dhe rritje të temperaturave të ajrit, ku më të theksuara kthjellimet do të jenë në gadishullin e Ballkanit si edhe gadishullin Iberik. Gjithashtu moti i qëndrueshëm do të dominoje në brigjet e Egjeut dhe brigjet e detit të zi ndërsa vendet Nordike, ishujt britanikë dhe Europa Lindore do të jenë nën ndikimin e rrebesheve të shiut dhe stuhive të erës. Po ashtu shira, stuhi të forta ere dhe mini-stuhi breshëri do të ketë pjesërisht në Europën Qendrore./abcnews.al