Zyrtarja e lartë e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas sulmit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një organizimi në Nju Jork ka sulmuar mediat dhe ish-qeverisjet e kaluara.
Çitaku ka thënë se një sjellje e tillë është jo etike, e papërgjegjshme dhe neveritëse dhe shton se një sulm i tillë i Kurtit vjen si pasojë e mungesës së sukseseve.
“Në vend që të angazhohet për t’i sjellur Kosovës ndonjë njohje apo investim, Kryeministri paska shkuar në Neë York për të marrë pjesë në një takim të Internacionales Socialiste, dhe aty paska zgjedhur që të sulmojë mediat dhe “regjimin e vjetër””, ka shkruar ajo.
“Kryeministër, Një qasje e tillë është jo etike, jo patriotike, e papërgjegjëshme dhe neveritëse. Në mungesë të sukseseve në qeverisje, gjuha e Kryeministrit është reduktuar në akuza, sharje e shpifje për këdo që nuk mendon si ai. Polarizimi, popullizmi dhe armiqësimi janë mjetet e vetëme të punës që e njeh kjo kastë qeverisëse”, ka përfunduar Çitaku.