Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës afër pompës së derivateve në qendër të Zveçanit, por për fat të mirë përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz.
Bëhet fjalë për ish pompën e benzinës NIS petrol, me të cilën tani disponon kompania ‘Lab oil’, ndërsa përveç kësaj pompe, janë dëmtuar edhe disa lokale aty afër.
Nebojsha Ristoviq, pronar i njërit lokal, dritaret e të cilit janë thyer nga shpërthimi, tha për KP, se serbët në veri nuk janë të lirë.
Ai nuk e din se çka ka ndodhur saktë, sepse tha se nuk ka qenë në atë moment në shtëpi, ndërsa akuzoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës për të cilët tha se në vend të tyre është dashur të jenë pjesëtarët e Kombeve të Bashkuara.
Ristoviq: Dihet këtu kush e mban sigurinë
“Ne nuk jemi të lirë. Unë nuk kisha folur më shumë… Ka pasur këtu sigurim, nuk kam qenë këtu, për një moment çka ka ndodhur nuk di dhe as nuk mund të supozoj…Çka dhe si mund të dyshoj unë, por dihet këtu kush e mban sigurinë. Këtu është dashur të mbajnë sigurinë Kombet e Bashkuara, por fatkeqësisht sigurinë këtu e mbajnë ata që ju të gjithë e dini”, ka thënë Ristoviq.
Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar rastin për KosovaPress, duke thënë se policia është duke zhvilluar hetimet dhe deri tani nuk ka të dyshuar dhe as të arrestuar.
“Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe është duke zhvilluar hetimet në mënyrë që autorin ose autorët e këtij incidenti t’i identifikojë sa më parë. Jo, deri në këto momente nuk kemi të arrestuar e as të dyshuar që ndërlidhen me rastin”, theksoi përmes telefonit Elshani.