Ligjvënësit iranianë brohoritën “Vdekje Izraelit” në parlamentin iranian të dielën, një ditë pasi Hezbollahu konfirmoi se lideri i tij, Hassan Nasrallah, ishte vrarë në një sulm ajror izraelit.
Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Kalibaf u zotua se fronti i rezistencës do të vazhdojë të luftojë Izraelin.
“Do të shohim shtylla të ndryshme të rezistencës, me mbështetjen e Republikës Islamike të Iranit, do të vazhdojnë të përballen me unitetin dhe forcën tonë”, tha Kalibaf.
Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të pranojnë pasojat e mbështetjes së saj për Izraelin.
“Shtetet e Bashkuara janë bashkëpunëtore në të gjitha këto krime dhe për sa kohë që nuk do ta detyrojnë regjimin sionist të respektojë ligjet njerëzore dhe ndërkombëtare, duhet ti pranojnë pasojat”, u shpreh ai.
Ndërkohë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, u citua nga agjencia zyrtare e lajmeve Fars të ketë thënë në Nju Jork se “të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se situata është jashtëzakonisht shpërthyese dhe se gjithçka është e mundur, madje edhe lufta”, raporton AP.
E kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi Iranin të shtunën vonë se mund të bëhet objektiv i sulmeve, ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei tha se vrasja e Nassrallahut nuk do të shkojë pa marrë hak.
Grupi militant konfirmoi të shtunën se lideri i tij dhe një nga themeluesit Hassan Nasrallah, u vra në një sulm ajror izraelit në periferi të Bejrutit.
Vrasja e liderit shumëvjeçar të grupit të fuqishëm militant shkaktoi valë tronditëse në të gjithë Libanin dhe Lindjen e Mesme, ku ai ka qenë një figurë dominuese politike dhe ushtarake për më shumë se tre dekada.
Tags: Iran