Sulmet izraelite vranë së paku 51 njerëz në jug të Gazës, thanë zyrtarët mjekësorë palestinezë.
Ushtria izraelite është duke kryer disa operacione tokësore në qyetin Kan Jonis.
Autoritetet spitalore atje thanë se viktimat përfshijnë disa gra dhe fëmijë.
Izraeli është duke vazhduar ofensivën në Gazë tashmë gati për një vit.
Ajo erdhi si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – në tokën izraelite, më 7 tetor të vitit të kaluar.
Në atë sulm, Hamasi vrau mbi 1.200 njerëz dhe mori peng qindra të tjerë.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit në Gazë – enklavë e kontrolluar nga Hamasi – la të vrarë mbi 42.000 njerëz, sipas autoriteteve palestineze.
Vëmendja, ditëve të fundit, u zhvendos në Liban, ku Izraeli nisi një operacion tokësor kundër Hezbollahut – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja – i cili, po ashtu, kryen sulme kundër caqeve izraelite.
Në përgjigje të “agresionit” në Gazë dhe Liban, Irani sulmoi Izraelin me raketa mbrëmjen e së martës.
Izraeli u zotua se do t’i përgjigjet./Radio Evropa e Lirë