Pasojat e agresionit rus në Ukrainë kanë ndikuar kontinentin evropian, paqen, stabilitetin, sigurinë, politikën dhe gjeopolitikën e tij, më shumë se çdo konflikt tjetër që prej Luftës së Dytë Botërore.
Kjo u tha gjatë konferencës “Impakti i agresionit rus në Ukrainë dhe në gjeopolitikën evropiane”, organizuar të mërkurën në Prishtinë nga Instituti për Studime të Luftës Hibride, Octopus, shkruan A2 CNN. Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, në fjalën e tij, deklaroi se agresioni rus në Ukrainë paraqet aktin e parë të një strategjie destabiliteti të Evropës, me Serbinë në Ballkan që do të ishte akti i dytë i kësaj strategjie.
“As Rusia e as Serbia nuk kanë hequr dorë nga kjo strategji, sepse as Rusia nuk ka hequr dorë nga “Bota ruse” e as Serbia nuk ka hequr dorë nga “bota serbe”, tha Konjufca.
Me një fqinj si Serbia dhe për shkak të lidhjeve të Beogradit, profesoresha e Universitetit të Oksfordit, Jennifer Cassidy, deklaroi se nuk mund të përjashtohet aneksimi i Kosovës: “Bjellorusia dhe Serbia janë shtete satelite në shërbim të Rusisë. Dhe në rast fitoreje të Rusisë në Ukrainë jo vetëm që do të kishim më shumë destabilizim në rajon e fuqizim të Rusisë, por kombinuar edhe me një fitore të Trump do të bëheshim dëshmitarë edhe të aneksimeve të reja”.
Ndër ndryshimet që lufta në Ukrainë ka sjellë në peizazhin gjeopolitik të Ballkanit u tha se është edhe rivlerësimi i marrëdhënies midis Kosovës dhe Serbisë.
Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë, theksoi: “Sot, çështja e Kosovës përfshin Kombet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe prezencën e NATO-s. Nuk besoj se ka një sipërfaqe të dytë në botë që të implikojë si në Kosovë, organizatat më të rëndësishme planetare. Nëse dikush dëshiron një krizë të sistemit ndërkombëtar, ai me Kosovën ka gjetur “hapësirën” e duhur për ta bërë këtë”.
Konferenca solli në vëmendje edhe problemin e dezinformatave dhe shfrytëzimin e mediave për propagandë kundër vlerave demokratike.