Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka qëndruar dje në Prishtinë.
Ai mori pjesë në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në bashkëpunim me Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane. Aty foli për investimet gjermane dhe procesin e Berlinit.
Gjatë një tryeze pas këtij forumi, emisari gjerman foli edhe për Asociacionin, Manastirin e Deçanit dhe marrëdhëniet e Gjermanisë me Kosovën.
Sarrazin, është shprehur i bindur se sikur vendimi për regjistrimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit të merrej një gjysmë viti më parë, Kosova do të ishte anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Ai ka sqaruar se ky nuk është qëndrim i qeverisë gjermane, derisa ka thënë se gjërat duhet të bëhen kur ekziston momentumi, përndryshe mund të ndryshojnë.
“Në botë gjërat ndryshojnë dhe nëse e humbni momentumin, atëherë mos u ankoni më vonë se gjërat ndryshuan. Deçani erdhi vonë. Unë jam mjaft i sigurt. Ky nuk është qëndrim zyrtar i qeverisë gjermane. Nëse kjo do të ishte bërë një gjysmë viti më parë, ju do të ishit sot në Këshillin e Evropës. Është bërë vonë. Ishte shumë e qartë. Kjo është jeta. Bëni gjërat në kohë që t’ju njihen, përndryshe gjërat mund të ndryshojnë”, ka deklaruar Sarrazin një diskutim të organizuar për të shënuar angazhimin e Gjermanisë gjatë 25 vjetëve të fundit në Kosovë.
Sipas Sarrazin, Kosova ka pritur që Gjermania t’i bindë shtetet që të votojnë pro anëtarësimit në KiE, duke shtuar se kjo do të duhej të bëhej nga vetë Kosova.
“Ju nuk duhet t’ia besoni Gjermanisë të bëjë punën e juaj diplomatike. Duhet të bëhet nga vetë Kosova, që të bindë partnerët e tjerë e jo vetëm që të na lërë neve që ta bëjmë atë”, ka deklaruar ai.
Duke folur për çështjen e Asociacionit, Sarrazin tha se autoriteteve në Kosovë u mungon vullneti politik për themelim, posaçërisht në një kohë kur vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Dhe sinqerisht, mund të kuptoj se ky është një debat i nxehtë politik në Kosovë dhe se ndoshta për momentin vullneti politik, veçanërisht para zgjedhjeve, nuk është mjaftueshëm i fortë për të vazhduar realisht me këtë edhe për shkak të ngjarjeve në Banjskë dhe shumë gjëra tjera, si dhe frikës rreth asaj se çfarë mund të sjellë ky Asociacion”, tha ai.
Këto komente ai i bëri në tryezën e diskutimit për të shënuar një çerek shekulli të Angazhimit Gjerman në Kosovë.