Në kuadër të konferencës së Federatës së Paqes Universale, u diskutua edhe për “Tranzicionin demografik në Ballkanin Perëndimor, ikjen e trurit të të rinjve dhe çështjet e familjes”.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, tha se qeveria ka fokus të veçantë mbështetjen ndaj të rinjve. Ajo përmendi shtesat për fëmijë, bursat dhe mbështetjen për aktivitetet sportive.
Osmani: Qeveria mbështet të rinjtë me të gjitha kapacitetet ekzistuese
“Mbështetja e qeverisë për të rinjtë fillon qysh në momentin e lindjes se fëmijëve përmes shtesave së fëmijëve. Pastaj pason përmes bursave të shumta nga Ministria e Arsimit, përveç kësaj edhe platforma super-puna iu mundëson të rinjve të hyjnë në treg të punës, por edhe të krijojnë përvoja profesionale. Si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit besojmë se misioni ynë është t’iu shërbejmë të rinjve përmes artit, sportit dhe trashëgimisë kulturore. Kjo qasje nënkupton që të rinjtë të zhvillojnë talentin e tyre në sektorë që dëshirojnë”, tha ajo.
Ndërkaq, menaxherja e projekteve në UNODC, Viktoria Nesterovaite, shprehu shqetësimin mbi ikjen e të rinjve nga vendet e Ballkanit Perëndimor për arsye të papunësisë dhe korrupsionit.
Nestervaite: Largimi i të rinjve nga Ballkani, shqetësues
“Më shumë se 70 për qind të rinjve në Ballkanin Perëndimor largohen nga rajoni dhe shqetësimi kryesor i tyre se janë të varfër dhe të papunë, dhe ka shumë korrupsion. Korrupsioni i prek të gjithë prandaj edukimi kundër korrupsionit është shumë me rëndësi. Rëndësia e edukimit në luftën kundër korrupsionit njihet edhe në kuadër të konventës së OKB-së”, tha ajo.
Në këtë panel diskutimi ishte edhe presidenti i UBT-së, Edmond Hajrizi, i cili vuri në pah rënien e natalitetit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Hajrizi: Nataliteti po shënon rënie
“Kemi rënie të popullatës, secili shtet ka rënie, secili shtet në Ballkan nataliteti është në rënie. Në secilin shtet të Ballkanit kemi migrim…Nëse dëshirojmë të kemi rritje ekonomike duhet të rrisim produktivitetin me njerëz apo me teknologji….migrimi po ndodh me lëvizjet e tilla 50-60 mijë migrim çdo vit dhe kjo është interesante”, tha ai.