Ministria e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në një intervistë për “RTV SLO”, ka lavdëruar Kosovën për arritjet në sundimin e ligjit gjatë tri viteve të fundit. Ajo tha se ka pasur përpjekje serioze në këtë fushë.
Kryediplomatja tha se në këtë aspekt, Kosova ka bërë punë të shkëlqyer.
“Sundimi i ligjit në Kosovë gjatë 3 viteve të fundit nuk ka qenë thjesht një fjalë boshe. Përkundrazi, ka pasur përpjekje serioze dhe rezultatet të cilat janë konfirmuar nga të gjitha organizatat ndërkombëtare, qe vlerësojnë luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, standardet demokratike, lirinë e mendimit, të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, të gjitha dëshmojnë se Kosova ka bëtë një punë të shkëlqyer”, ka thënë ajo.
Gërvalla deklaroi se Kosova e dëshiron një Ballkan ku sundon demokracia dhe sundimi i ligjit.
“Vetëm në Transparency International kemi përparuar me më shumë se 20 vende brenda 3 viteve. Kjo do të thotë se ka një zhvillim që është i pazakontë për të gjithë ata kritikë të Ballkanit, të cilët për një kohë të gjatë kanë thënë se nuk mund implemetosh standardet evropiane në Ballkan. Ne jemi pikërisht dëshmia që kjo nuk është e vërtetë. Ne duam një Ballkan ku sundon demokracia dhe sundimi i ligjit”, deklaroi Gërvalla.