Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë mbajtur gjatë ditës së sotme konferencën përgatitore për gjykimin në çështjen Januzi dhe të tjerët.
Është njoftuar se Trupi Gjykues ka lëshuar një numër urdhrash gojorë të cilët bazohen në datën e parashikuar për fillimin e gjykimit, më 8 nëntor 2024.
Por, ndonëse është paralajmëruar se do të ketë seanca do të vazhdojnë për disa ditë, ato kanë përfunduar sot.
“Kjo ishte konferenca e fundit përgatitore për gjykimin në këtë çështje, prandaj seancat për pjesën e mbetur të kësaj jave janë anuluar”, u tha në njoftimin e DhSK-së.
“Trupi Gjykues trajtoi mosdisponueshmërinë e mbrojtësit kryesor të Januzit më 11 dhe 12 nëntor. Trupi Gjykues vendosi që, nëse është e nevojshme, Januzi mund të përfaqësohet nga bashkëmbrojtësi i tij gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, Trupi Gjykues urdhëroi ekipet e Mbrojtjes që deri më 4 nëntor 2024 të dorëzojnë listat e dëshmitarëve. Së fundi, Trupi Gjykues njoftoi se do të nxjerrë një numër vendimesh përkatëse në kohën e duhur, duke përfshirë atë për datën e fillimit të gjykimit”, u tha në njoftimin e DhSK-së.
Aktakuza ndaj Ismet Bahtijarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.