Izraeli pretendon se Hashem Safieddine, pasardhësi në pushtet i liderit të vrarë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, është “eliminuar”.
Ndërkohë, nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, kandidate e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, ka thënë se Teherani është armiku më i madh i Shteteve të Bashkuara.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë më 8 tetor se Hezbollahu, grup militant i përkrahur prej Iranit, dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është “organizatë pa kokë”.
“Nasrallah është eliminuar – zëvendësimi i tij me shumë gjasë është eliminuar”, u ka thënë Gallant zyrtarëve të komandës veriore ushtarake, pa ofruar më shumë hollësi.
“Nuk ka kush të marrë vendime, nuk ka kush të veprojë”.
Hezbollahu është i shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë krahun e armatosur, por jo partinë politike.
Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin e Libanit.
Hashem Safieddine, zyrtar i lartë i Hezbollahut dhe kushëriri i Nasrallahut, pritej të ngjitej në krye të grupit, mirëpo vendndodhja e tij nuk dihet prej kur Izraeli ka shënjestruar një takim të udhëheqësisë së Hezbollahut, më 2 tetor.
Hezbollahu nuk e ka komentuar fatin e Safieddinit, ndonëse anëtarë të paidentifikuar u kanë thënë mediave se grupi ka humbur kontaktin me të prej kur ka ndodhur sulmi.
Safieddine është shpallur terrorist global prej Shteteve të Bashkuara, shkruan REL.
Ndërkohë, Harris ka thënë në programin e rrjetit CBS, 60 Minuta, se ajo e konsideron Iranin si armikun më të madh të Shteteve të Bashkuara.
“Irani ka gjak amerikan në duart e veta”, ka thënë ajo.
“Ajo çfarë kemi parë sa i përket sulmit ndaj Izraelit, 200 raketa balistike, ajo që duhet të bëjmë është të sigurohemi që Irani të mos ketë kurrë aftësi për t’u bërë fuqi bërthamore – ky është ndër prioritetet e mia kryesore”.
Harris nuk ka spekuluar nëse SHBA-ja do të ndërmarrë veprim ushtarak nëse vërtetohet që Irani është duke krijuar armë bërthamore.
Teherani ka mohuar se po krijon armë të tilla, dhe pretendon se programin bërthamor e ka vetëm për qëllime civile.
Tags: Hashem SafieddineHassan NasrallahIzrael