Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova promovon tregtinë e lirë dhe se masat e vendosura ndaj Serbisë janë të sigurisë dhe assesi tregtare. Ai tha lejimi i hyrjes së mallrave serbe në të gjitha pikat kufitare do të bëhet porsa të vijnë skanerët e premtuar nga evropianët dhe amerikanët. Kreu qeveritar theksoi se mallrat serbe mund të hyjnë në Kosovë vetëm përmes pikës kufitare në Merdarë, në kuadër të kontrollit të detajuar të doganierëve.
Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, foli vizitën e nesërme në Kosovë të emisarit amerikan në Kosovë, Alexandër Kasanof, takimin e sotëm të CEFTA-s, largimin e masave të BE-së, arrestimet e djeshme në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, Ambientit dhe Infrastrukturës, aksidentin e zëvendësministrit të Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku si dhe bisedave të publikuara të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe ndërmjet Milan Radoiçiq.
Kurti: Kur të vijnë skanerët do të hapim edhe pikat të tjera kufitare për mallrat serbe
“Natyrisht se ne nuk kemi mundur të hapim kufirin në të gjitha pikat kufitare, ndërkohë nuk kemi marrë ende skanerët, që edhe duam t’i blejmë por edhe na kanë premtuar evropianët dhe amerikanët. Ndërkohë çfarë kemi bërë ne është se kemi hapur një pikë të kufirit meqë rast kjo është në Merdarë pasi terminali doganor është vetëm 300 metra larg pikës kufitare, ku lejohen mallrat por me kontroll të shtuar. Pra bëhet fjalë për masa të sigurisë, kurrsesi për masa tregtare që janë përpjekur disa të na veshin”, tha Kurti.
I pyetur për vizitën e Kasanof në Kosovë dhe pritjet për një intensifikim të dialogut gjatë vjeshtës, Kurti tha se “ajo çfarë mund të presim prej tij duhet të kemi durim deri në takimin e nesërm”.
Kurti: Se çfarë mund të presim prej Kasanof duhet të kemi durim deri në takimin e nesërm
“Do ta mirëpresim zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit këtu në Prishtinë. Ju e dini se ai është në vend të Gabriel Escobar dhe tash edhe me Alexandër Kasanof besoj se do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Se çfarë mund të presim prej tij, besoj se duhet të kemi durim për 24 orë”, shtoi ai.
Duke folur për masat e BE-së ndaj Kosovës, ai tha se të njëjtat tashmë janë bërë absurde dhe se duhet të hiqen sa më parë.
Kurti: Masat e BE-së janë bërë absurde tashmë
“Ne vazhdimisht kërkojmë heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat datojnë që nga qershori i vitit të kaluar. Ato masa s’kanë qenë të drejta asnjëherë dhe tash janë bërë absurde pasi vet përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell i ka shkruar letër 27 vendeve të BE-së që masat duhet të hequr”, deklaroi Kurti.
Sa i përket arrestimeve të djeshme në MMPHI, Kurti tha se s’ka informacion për çfarë janë arrestuar, mirëpo shtoi se zyrtari i arrestuar Izedin Bytyçi është në institucione se 20 vite.
Kurti: S’kam informacion për çfarë janë hetuar dhe arrestuar zyrtarët në MMPHI
“Së pari ministria nuk është e Liburn Aliut. Librun Aliu s’ka ministri, ai vet është ministër në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, Ambientit dhe Infrastrukturës, ndërsa ministria është në kuadër të Qeverisë. Të gjithë jemi punëtorë, nuk jemi pronarë asnjëri, jemi shërbyes. Fjala ministër vjen prej latinishtes që i bien shërbëtorë, prandaj s’jemi pronar që të thuhet ministria e atij apo këtij. Kjo s’është dashur të jetë asnjëherë por ndoshta për shkak të së kaluarës pasi edhe ashtu janë sjell dhe kanë ngelur këto keqkuptime. Personi i parë i arrestuar është një zyrtarë i cili punon në institucionet e Kosovës që prej dy dekadash. Unë s’kam informacion se për çfarë janë hetuar, arrestuar dhe përndjekur. Nuk e di këtë gjë. Besoj se gjithçka do të sqarohet pasi drejtësia do të veprojë. Por nuk mundem në kushtet kur mungon informacioni përveç imazhet që shfaqen në media tonë të jap gjykime përmbajtjesorë”, theksoi Kurti.
Ai tha se Kosova po përfaqësohet në CEFTA nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Roezeta Hajdari.
Kurti: Mbledhja e CEFTA-s është online, po merr pjesë ministrja Rozeta Hajdari
“Në mbledhjen që po zhvillohet në CEFTA mesa jam në dijeni kjo është mbledhje online dhe aty merr pjesë ministrja Rozeta Hajdari. Mbledhja do të vazhdojë për disa orë pasi ka shumë pika në rend të ditës”, tha ai.
Ndërkaq, sa i përket aksidentit ku u përfshi zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, kreu qeveritar tha se organet e rendit janë duke e hetuar rastin, teksa shprehu keqardhje për ndodhinë.
Kurti: Institucionet e sigurisë duhet të hetojnë për aksidentin e zëvendësministrit Tafarshiku
“Sa i përket aksidentit që ka ndodhur janë organet e rendit, institucionet përkatëse të shtetit tonë të cilat hetojnë dhe procedura vazhdon. Mua më vjen keq për atë çka ka ndodhur, besoj se njëjtë ndjehet edhe zëvendësministri. Shumë shpejtë do të merren hapat në vijim, por na duhet të jemi të përqendruar tek i lënduari dhe tek lejimi i organeve të rendit të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale”, tha ai.
Derisa u pyet rreth bisedave të publikuara të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe ndërmjet Milan Radojiçiq, Kurti tha se nuk i ka dëgjuar të njëjtat, derisa theksoi se tash do të intensifikohet lufta hibride kundër qeverisë dhe grupit të tyre parlamentar.
Kurti: Tash do të intensifikohet lufta hibride kundër qeverisë dhe grupit tonë parlamentar
“Ju porsa thatë se në këto momente paska pasur ndonjë publikim, kështu që në këto momente s’kam as të shoh as të dëgjojë. Por përshtypja ime është se tash do të intensifikohet lufta hibride kundër Kosovës dhe në veçanti kundër qeverisë sonë, grupit tonë parlamentar dhe kryetares së grupit parlamentar. Këtë e kemi pa edhe në të kaluarën”, përfundoi Kurti.