Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, ka reaguar lidhur me letrën e ankesës që komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ia ka dërguar ministrit të FSK-së, Ejup Maqedonci, lidhur me ushqimin e ushtarëve.
Azemi ka thënë se erdhi dita që komandanti i ushtrisë të paralajmëroj me letër masat që shkojnë deri në ndërprerje të aktiviteteve të ushtrisë.
“Gjendja e ushtarëve sot është pasqyra më e mirë e këtij pushteti. Ata që mbi supe marrin përsipër rreziqet më të mëdha, janë sjellë në pikën që t’i rrezikojë edhe helmimi nga ushqimi. Një trajtim i tillë vjen nga një qeverisje që edhe “pasulin” për FSK-në e ka blerë me kontrata sekrete. Nga Qeveria Kurti, që ka thyer çdo rekord me tenderët njëburimorë e kontratat e negociuara”, ka shkruar Azemi.
Reagimi i plotë:
Erdhi dita që Komandanti i FSK-së përmes letrave me paralajmëru ministrin e Mbrojtjes për masa që shkojnë deri në ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve nga ushtarët. Krejt kjo si rrjedhojë e telasheve me ushqimin, për çka komandanti Bashkim Jashari përmend edhe mundësinë e helmimit e infeksionit të ushtarëve, si pasojë e kushteve jo të duhura sanitare.
Kur çështja e ushqimit u problematizua me të drejtë, pushteti që s’arriti as furnizim të duhur me bukë për ushtarët, u nxitua ta quante propagandë. Kurse këto shqetësime tashmë po i konfirmon njeriu që është në krye të FSK-së, pjesërari i familjes Jashari, të cilin urojmë që mos ta akuzojnë militantët e LVV-së se po i shërben ndonjë klani të dyshimtë.
Gjendja e ushtarëve sot është pasqyra më e mirë e këtij pushteti. Ata që mbi supe marrin përsipër rreziqet më të mëdha, janë sjellë në pikën që t’i rrezikojë edhe helmimi nga ushqimi. Një trajtim i tillë vjen nga një qeverisje që edhe “pasulin” për FSK-në e ka blerë me kontrata sekrete. Nga Qeveria Kurti, që ka thyer çdo rekord me tenderët njëburimorë e kontratat e negociuara.
Është e papranueshme që ushtari i FSK-së të trajtohet kësisoj. Uniforma që mbron Republikën tonë është e shenjtë dhe atë për asnjë çmim s’guxon ta njollosë asnjë pushtet.