Pas vendimit për të lejuar hyrjen e produkteve të gatshme serbe në Kosovë është riaktivizuar një fushatë ku i bëhet thirrje qytetarëve që të bojkotojnë ato dhe të zgjedhin prodhimet vendore.
Grupi “Besa-Besë”, që qëndron pas fushatës, e vlerëson të ngutshëm vendimin e Qeverisë për të hequr masën që vlen vetëm për pikën kufitare të Merdares.
Sipas tyre, Serbia që 25 vite bën barriera jotarifore në prodhimet kosovare deri tek kërcënimet e kompanive të cilat tentojnë të importojnë prodhime kosovare në Serbi. Po ashtu, sipas tyre, produktet të cilat plasohen në tregun e Kosovës nuk shënohet ‘Republika e Kosovës’ po vetëm ‘Kosovo’.
“Transporti tranzit i produkteve me prejardhje shtazore siç është qumështi, djathi, mishi, produktet e mishit, djathit nuk lejohet të kalojnë tranzit nëpër Serbi, as kur shkojnë kundrejt Evropës, as kur vijnë nga Evropa për në Kosovë, këto janë një prej barrierave të shumta që Serbia ia bën Kosovës”, tha për A2 Burim Piraj, drejtues i grupit “Besa-Besë”.
Përball një vendimi qeveritar që erdhi edhe pas një presioni ndërkombëtar, grupi i është drejtuar qytetarëve.
“Ne nuk na mbetet tjetër vetëm të bëjmë apel tek konsumatorët kosovarë që të mos blejnë prodhime serbe, t’i bojkotojnë ato dhe të blejnë produkte të tjera, e sidomos të blejnë produkte kosovare ashtu që ne ta zhvillojmë ekonominë tonë”, u shpreh Piraj.