Ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është raportuar se u sulmua brutalisht mbrëmë në pjesën veriore të Mitrovicës.
Drejtori i Institutit “Octopus” Agim Musliu në një postim në “X”, ka shkruar se Rakiq është rrahur nga individë të afërt me të, që përfshijnë kriminelë dhe terroristë të lidhur me Aleksandar Vuçiqin dhe Milan Radoiçiqin.
Musliu tutje thekson se Rakiq është trajtuar fshehtas pas incidentit, duke u munduar të mbahet larg vëmendjes publike.
“Ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është rrahur mbrëmë në Mitrovicë, në pjesën veriore me shumicë serbe. Edhe pse është rrahur nga shokët e tij, kriminelët dhe terroristët e Vuçiqit dhe Radoiçiqit, ai është trajtuar fshehtas. Pa dyshim, ky rast do të paraqitej si një sulm nga shqiptarët, duke përhapur dezinformata kudo”, ka shkruar Musliu.
Media ka kontaktuar sot me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani dhe i njëjti ka bërë të ditur se nuk mund të konfirmoj një gjë të tillë.
“Nuk mund të konfirmoj një gjë të tillë, së paku ne nuk kemi ankesa”, ka thënë Elshani.
Telegrafi gjithashtu ka provuar të kontaktoi edhe me vetë Rakiqin, po i njëjti nuk është përgjigjur.