Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës pasi në seancën e Kuvendit tha se ushtarët e FSK-së po detyrohen të punojnë edhe si taksitë e kamerierë për shkak të kushteve të rënda, ka përmendur edhe një rast tjetër që ka të bëjë me automjetet transportuese.
Ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë 1 ka treguar se si ushtarët e FSK-së janë detyruar të paguajnë nga 40 euro për rregullimin e automjetit të cilin e kanë përdorë për udhëtim, e që ka qenë pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Një informacion që e mora, një problem që kishin pas ushtarët me mjetin transportues, ishte prishur dhe nuk është rregulluar për një kohë të gjatë dhe detyrohen ushtarët t’i japin nga 40 euro që ta dërgojnë të mekaniku për rregullim. Kjo qasje është e papranueshme”, ka thënë Selmanaj.
Duke folur për çështjen e ushqimit të ushtarëve pas përfundimit të kontratës me operatorin, ai tha se ka pas tendenca për abuzim me paranë publike.
“ Tani doli skandali me ushqimin e që për fatin e keq, ne kemi bindjen dhe tani doli edhe publikisht që ky proces është manipulu për shkak se ka pas intencë që të vidhet të abuzohet. Është e turpshme me ardh në një situatë të tillë. Vetëm Serbia i gëzohet kësaj situatë. Ky është problem më tepër i brendshëm ministër, zëvendësministër dhe figura tjera para-politike që kanë ndikim të madh në Qeverinë e Kosovës e që janë jashtë institucioneve, me qëllime krejtësisht të qarta, si të vidhet dhe zhvatet paraja e Kosovës në mënyrë institucionale”, tha Selmanaj.
Ka disa javë që ushqimi për ushtarët e FSK-së po përgatitet nga kuzhinier të mensës se studentëve dhe ata të burgjeve të Kosovës.