Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Krstiq: Serbët do ta njohin edhe Pavarësinë e Kosovës, nëse Amerika e bën këtë gjë

 
   

Qytetarët e komunitetit serb në katër komunat veriore vazhdojnë të përballen me kërcënime nga Serbia nëse integrohen në institucionet e Kosovës. Televizioni ka mësuar se trysnia nga Beogradi zyrtar po bëhet përmes ndalimit të pagave që marrin nga shteti fqinj, përfshirë pensionet.

Më 5 nëntor të vitit 2022, policë, prokurorë e gjykatës serbë vendosën të largohen nga institucionet e Kosovës.

Kjo erdhi pas trysnisë nga Serbia, pas disa vendimeve që mori qeveria e Kosovës.

Por, serbët ende po vazhdojnë të kërcënohen nga Beogradi zyrtar, nëse të njëjtit integrohen sipas ligjeve të Kosovës.

Siç ka mësuar televizioni, atyre po u ndalohen pensionet, si dhe pagat në arsim e shëndetësi.

Për këtë çështje, asamblisti në komunën e Mitrovicës së veriut, Betim Osmani ka një thirrje për Qeverinë.

“Ne i kemi pas kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës të komunitetit serb të strukturave paralele që kanë marrë rrogë e që edhe sot marrin. Problemi është se këta qytetar të komunitetit serb sa herë që dëshirojnë të integrohen në sistemin e Kosovës marrin kërcënime nga Beogradi me ndaljen e pagave, dhe këtu besoj se institucionet tona qendrore duhet ta kenë parasysh që t’i marrin ata qytetarë dhe t’i integrojnë në sistemin e Kosovës”, tha asambleisti në Komunën e Mitrovicës, Betim Osmani.

E analisti Branislav Krstiq thotë për televizionin se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ndan buxhet vjetor për 80% të serbëve në Kosovë.

“Sepse kryetari i shtetit të Serbisë i cili me buxhetin e vet e ka lidhur 80% e serbëve të shtetit të Kosovës me interes të kuptueshëm, me vende të punës. Është në një pozitë në të cilën duhet me dalë nga atë që do të thotë ne e kemi tash një situatë kur serbët janë zgjuar që ardhmërinë e kanë në shtetin e Kosovës”, tha analisti Branislav Krstiq.

Sipas tij, nëse shtohet trysnia nga faktori ndërkombëtar ndaj Serbisë, serbët në Kosovë do ta njohin edhe Pavarësinë e Kosovës.

“Nëse edhe z.Kurti me plotfuqi dëshiron me ndërpre ato mekanizmat me të cilat Beogradi zyrtar është duke manipuluar edhe është duke kontrolluar serbët, është tepër e vështirë. Sipas mendimit tim, në qoftë se Bashkësia Evropiane, ose Administrata Amerikane është duke bërë një presion tepër serioz ndaj kabinetit të kryetarit Aleksandër Vuciq, ne do të kemi qytetarët e shtetit të Kosovës me nacionalitet serb, do të pranojnë Pavarësine e shtetit të Kosovës”, tha Krstiq.

Gjatë muajit shtator, Vuçiq duke prezantuar disa masa të Serbisë për Kosovën, kërkoi ndër të tjera që serbët të kthehen në institucione, mirëpo nga Policia kanë thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë pasi është në kundërshtim me ligjet e Kosovës.