Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme.
IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-21 gradë Celsius.
Në mëngjes parashihet që në shumë vende, kryesisht viseve të larta dhe rreth lumenjve, të ketë mjegull.
Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-4/m/s.
E një ditë më parë Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj bëri thirrje për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve në kushte mjegulle.
Prezenca e mjegullës në disa zona me pozita gjeografike të ulëta ka rritur rrezikun për shoferët.
Policia rekomandon:
– Mos harroni se ngasja në mjegull mund të jetë e rrezikshme!
– Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve.
– Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita, kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe.
– Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. – Mbani vëmendjen, mos shpejtoni!
– Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë!
– Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët tjerë t’ju shohin.
– Mbani ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës!
– Mbani nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes!
– Mbani krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes!
Drejtoria Rajonale e Policisë inkurajon të gjithë shoferët të respektojnë këto rekomandime për sigurinë e tyre dhe të të tjerëve.