Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Abrashi: LVV-ja nuk do të marrë asnjë vendim që e cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

 
   

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar që për hir të asnjë kompromisi të marrë ndonjë vendim i cili do ta cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Abrashi ka shtuar se Asociacioni është trashëgimi politike nga e kaluara që po vazhdon të jetë barrë për Kosovën në secilin proces që po kalon.

“Ne jemi të interesuar që ta mbrojmë sovranitetin e shtetit, integritetin territorial dhe të mos marrim ndonjë vendim i cili do t’i cenonte këto të dyja vetë për hir të një kompromisi që kërkohet nga ne. Nëse kthehemi në retrospektivë tema e Asociacionit është një trashëgimi politike që nuk është e jona e kemi gjetur për fat të keq dhe tash e sa kohë i rëndohet Kosovës si barrë nëpër secilin proces që po kalon vendi ynë”, ka thënë Abrashi.

Më tej, ai e ka cilësuar të pakuptimtë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draftit për të cilin nuk ka paraprakisht dakordim dhe nënshkrim nga dyja palët.

“Nuk ka as logjikë dhe as kuptim që një draft i cili nënkupton një ide fillestare për të cilën nuk është dakorduar as Kosova as Serbia ne ti dërgojmë për interpretim kushtetues gjykatës. Cili do të ishte qëllimi i kësaj? Fillimisht duhet ajo marrëveshje të zotohet dhe zotimi nënkupton nënshkrimin e saj. Nëse Kosova do të merr obligime do të duhet të marr edhe pala serb, prandaj ne nuk mund të flasim për dërgim paraprak pa u pranuar fillimisht dhe pa u marr përsipër zotimi që është bërë në procesin e dialogut”, është shprehur Abrashi.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, gjatë qëndrimit në Prishtinë ka thënë se SHBA-ja pret nga Kosova që projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, ky mekanizëm nuk krijon një qeverisje të re apo një shtresë tjetër të pushtetit paralel, mirëpo është një mekanizëm për koordinim siç është në disa vende të Evropës.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë se Serbia duhet ta nënshkruajë Marrëveshjen e Ohrit, në mënyrë që të ecet përpara.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të Marrëveshjes dhe Aneksit të zbatimit. Po ashtu, për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar”, citohet Kurti në një komunikatë të qeverisë.