Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vrasja e Liridona Ademajt, Gjykata Themelore merr vendim për Naim Murselin dhe dy të dyshuarit tjerë

 
   

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Tre të dyshuarve, masa e paraburgimit iu vazhdua deri më 24 dhjetor 2024.

“Ju njoftojmë se me datë 24.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj për secilin, e cila masë do ju zgjasë deri me datë 24.12.2024”, konfirmoi Gashi.

Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

Të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor 2023 i është caktuar masa e paraburgimit. Ai u arrestua më  9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

Ndryshe, për të dyshuarin e katërt, T.D, Gjykata Supreme kishte marrë vendim që t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta të cilat e linin në paraburgim.

Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D.