Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 26 tetor, rreth orës 02:35, në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicë të Veriut, ka hasur në një qytetar serb nga veriu, M.S., i cili tentonte t’i dëmtojë gjëra dhe pajisje të ndryshme të cilat ishin të rrethuara me rrjetë, e të cilat ishin pronë e një dyqani.
Sipas njoftimit, i dyshuari papritmas ka dëmtuar rrjetën dhe ka hyrë në pronë private, duke dëmtuar gjëra të ndryshme.
“Zyrtarët policorë fillimisht kanë kërkuar që personi të ndalojë veprimet e tij, por i njejti duke mos iu bindur urdhrave të zyrtarëve policorë, ka filluar të përdorë shprehje të ndryshme dhe të ofendojë zyrtarët policorë në gjuhën serbe”.
“Edhe përkundër tentimeve të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të njëjtin ta ndalojnë së vepruari dhe së fyeri, i njëjti nuk ka ndaluar dhe nuk iu është bindur urdhrave të ligjshëm policorë, andaj zyrtarë janë detyruar që të njëjtin ta arrestojnë dhe ta shoqërojnë në stacion policor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, policia bëri të ditur se ndaj të dyshuarit është shqiptuar një kundërvajtje për vandalizëm dhe më pas është liruar.
“Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës, për të hetuar pretendimet e ngritura se kinse zyrtarët policorë kanë keqtrajtuar personin në fjalë”, thuhet në reagim.
Për këtë ka reaguar edhe partia serbe në Kosovë, Lista Serbe, e cila në lidhje me rastin ka kërkuar reagimin e ndërkombëtarëve, e mbi të gjitha të EULEX-it.