Një rast i rëndë ndodhi të shtunën pasdite në fshatin Banjë të Malishevës, ku një person humbi jetën në rrethana akoma të paqarta. Dyshimet e para janë për aksident trafiku, por një gjë e tillë pritet të konfirmohet.
Kjo ngjarje tronditi familjen Telaku, kur e morën lajmin e hidhur për vdekjen e më të dashurit të tyre.
Sinjali mësoi se bëhej fjalë për Ali Telakun, 62-vjeçar, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Mësohet se Telaku ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e fundit në Kosovë.
Telaku ishte invalid dhe duke lëvizur me karrocën e tij nëpër fshat, kur dyshohet se ndodhi rasti.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka ndalur një veturë, shoferi i të cilës e ka mohuar se e ka goditur viktimën – duke deklaruar se vetëm ishte ndalur për të shikuar se çfarë ka ndodhur.
Sipas familjarëve varrimi i të ndjerit bëhet nesër (e hënë) me fillim nga ora 13:00 në varrezat e fshatit Banjë.