Në gjykimin ndaj Andi Pajzitit, i akuzuar për rastin e vrasjes se 2023-ës në lokalin “Bon Vivant”, të mërkurën është dëgjuar eksperti/specialisti i psikiatrisë forenzike, Arsim Gashi, i cili ka dhënë sqarime lidhur me ekspertizën, teksa tha se vepra është kryer në gjendje të tronditjes së rëndë mendore.
“Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën ngarkohet, tek i ekzaminuari ka dominuar gjendje e konfuzionit emocional dhe humbjes së arsyes për shkak të situatës së papritur, ku si rezultat vepra është kryer në gjendje të tronditjes së rëndë mendore”, tha Gashi, duke elaboruar ekspertizën, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai shtoi se kjo gjendje ka ndikuar në rënien e aftësive mendore të të akuzuarit, për të kontrolluar veprimet e veta dhe humbjes së logjikës së pasojave të këtyre veprimeve.
Kjo seancë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u përcoll me tensione, duke bërë që familjari i tani të ndjerit të përjashtohet nga salla. Duke dalë nga salla, ai tha se nuk ka drejtësi.
“Nuk ka drejtësi, e pres këta jashtë. Edhe me ty… shihemi”, dëgjohet duke thënë familjari i palës së dëmtuar, teksa shau.
Paraprakisht, kishte polemika mes avokatit të të akuzuarit Pajaziti, Fanol Krasniqi dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Flakron Sylejmani, e cila u pasua me ndërhyrjen e familjarit të tani të ndjerit, i cili u përjashtua nga salla.
Pas kësaj, gjykatësi i çështjes Eroll Gashi mori vendim me të cilin avokatët Krasniqi dhe Sylejmani i gjobiti me nga 500 euro.
Më pas, seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të ekspetrtit Gashi, i cili u pyet nëse mendon se një ekspertizë e kryer më 7 maj 2024 mund të japë një pamje të plotë dhe të saktë të gjendjes mendore të të pandehurit për momentin e kryerjes së veprës penale.
“…me përgjegjësi mund të them që sikur të ekzistonte paqartësi, dilema profesionale nga ana e ekipës vlerësuese ne do të kërkonim nga ana e Gjykatës forma, mënyra të tjera shtesë në mënyrë që të vijmë deri në konstatim përfundimtar”, tha Gashi.