Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kur do të mbërrijnë në Kosovë skanerët që do vendosën në kufi me Serbinë?

 
   

Në pikën kufitare në Merdare, lejohen që të futen mallrat serbe në Kosovë.

Njëjtë nuk ndodh edhe në pikat tjera kufitare me Serbinë, e kjo pritët të bëhet vetëm pasi që të arrijnë skanerat donacion nga Gjermania, të cilët u mundësuan si pjesë e marrëveshjes për përfaqësimin në CEFTA.

TV Dukagjini pyeti Ambasadën gjermane në Kosovë, se kur pritët të arrijnë këto pajisje në Kosovë e ata thanë se janë në fazë të prokurimit.

“Sa i përket skanerëve, ne jemi në kontakt me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kërkohet vlerësim i përshtatshëm, si dhe përmbushje e kërkesave të prokurimit të cilat, sigurisht, duhet të bëhen konform rregullave dhe procedurave të prokurimit publik”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane.

Media kërkoi informacione nga Qeveria e Kosovës, lidhur me këtë proces por ata nuk dhanë përgjigje, as pas mbi 1 javë pritje.

Gjatë javës nuk ishte i qasshëm, as këshilltari i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj.

E deputeti Armend Muja që u përgjigj për televizionin megjithatë nuk kishte detaje të mjaftueshme për marrëveshjen.

“Nuk jam i sigurt definitivisht, por e di që partnerët ndërkombëtar janë duke e ndihmuar Kosovën në këtë aspekt pra për ta trajtu këtë dilemë, legjitime që e ka pasur qeveria në emër të popullit të saj”, ka thënë Muja.

Ndërkaq, njohësit e procedurave të prokurimit thonë se Kosova po pranon donacion dhe nuk ka nevojë të ketë procedura të prokurimit, ato kryhen vetëm në Gjermani.

“Kjo është në lidhje me procedurat e prokurimit që qeveria e Gjermanisë duhen me i zhvillu për të blerë skanerët që më pas si destinacion kanë donacionin në Republikën e Kosovës, Kosova nuk ka procedura të prokurimit veç nëse  Gjermania thotë që Kosova të siguroj transportin”, ka thënë Diana Metushi-Krasniqi nga KDI.

Detaje të tilla nuk kanë dhënë institucionet e Kosovës e as ato gjermane, andaj nuk ka edhe një periudhë të saktë se kur pritet që këta skanera të arrijnë në Kosovë.

Lidhur me këta skaner, gjatë javës së fundit takim ka pasur edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla me Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.