Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hamiti për Qeverinë Kurti: Në vend se vetën, këta e konsiderojnë shtetin e Kosovës të përkohshëm, qytetarët e kanë mundësinë mos t’i zgjedhin më

 
   

Muhamet Hamiti i LDK’së thotë se në kohën e qeverisjes së Albin Kurtit, Kosova është nën sanksione ndërkombëtare prej një viti e gjysmë, ndërkohë shton se qytetarët po i vuajnë pasojat e udhëheqjes së tyre.

Hamiti përmes një shkrimi në Facebook shton se deri tani janë humbur qindar miliona euro nga projektet e BE’së.

“Si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti i ka dëmtuar interesat e Kosovës, perspektivën e shtetit tonë, sepse e ka drejtuar keq procesin e dialogut me Serbinë. Përveçse i ka pranuar të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut – që i ka denoncuar më heret, kur ishte në opozitë – Marrëveshjen për Asociacionin e ka bërë më të keqe. Ia ka shtuar vetëmenaxhimin për serbët. E ka pranuar draftin e BE-së për Asociacionin për komunat me shumicë serbe që efektivisht krijon autonomi politike-territoriale për serbët, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Marrëveshjet e Brukselit/Ohrit të vitit 2023 janë bërë obligative për Kosovën. Procesi i mëhershëm i Dialogut që e kishte njohjen reciproke në qendër, tash në qendër e ka Asociacionin me autonomi substanciale për serbët”, tha ai.

Ndërkohë, Hamiti shton se Kosova nuk e ka siguruar asnjë njohje ndërkombëtare në katër vitet e fundit, prej shtatorit të vitit 2020.

“Albin Kurti dhe Donika Gërvalla-Schëarz pësuan fiasko në procesin për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës sivjet. Puna kryesore e tyre tash është fushata zgjedhore në diasporë, ku paraqiten jo rrallë bashkë. I kanë instrumentalizuar edhe ambasadat e Kosovës për fushatë politike të veten. Për çka? Për ta siguruar edhe një mandat të dështimeve për Kosovën”.

Hamiti thekson se kasta aktuale pushtetore e ka shkelur më shpesh Kushtetutën e Republikës së Kosovës se të gjitha qeveritë e mëhershme bashkë.

“Korrupsioni qeveritar është më i madhi në historinë e Kosovës në kohën e Qeverisë Vetëvendosje+satelitët. Departamenti Amerikan i Shtetit evidentoi në raportin e vet atë që e quajti ‘serious government corruption” (korrupsion i rëndë qeveritar) në Kosovë, diçka që po e përjetojmë vazhdimisht. Kujto skandalet e përditshme, kujto qindra tenderët njëburimorë që ua japin përkrahësve të vet”.

Hamiti kërkon nga qytetarët që në zgjedhjet e 9 shkurit të mos e zgjedhin më këtë pushtet.

“Në vend se ta konsumojnë pushtetin, drejtuesit e Qeverisë së Kosovës po e konsumojnë shtetin. Edhe ashtu e kanë thënë protagonistët qeveritarë të VV-së: e konsiderojnë të përkoshëm shtetin tonë. Në vend se ta konsideronin veten të përkohshëm, këta e shohin shtetin e Kosovës të përkohshëm!

Ata që e kanë zgjedhur këtë kastë pushtetore bëjnë mirë të mos e zgjedhin më. Mundësinë e kanë qytetarët më 9 shkurt 2025”, përfundon Hamiti.