Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës do të jetë pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Kështu bëri me dije kreu i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku.
“Këtë të diel, qëndrova në Gjakovë, mes demokristianëve të PSHDK-së, në Kuvendin e tyre të XI zgjedhor. I urova delegatët për punimet e Kuvendit; dhe ritheksova e rikujtova bashkëpunimin e ngushtë që subjektet tona kanë patur në tre dekada e gjysmë veprim.
Në vizionet e Presidentit Rugova e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Akademik Mark Krasniqit, gjejmë dhe udhërrëfimin tonë të ardhshëm; të një Kosove të pavarur e sovrane, të anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian e me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PSHDK, në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të jetë pjesë e listës së LDK-së, duke i dhënë të djathtës sonë gjithë mbështetjen e nevojshme”, shkroi Abdixhiku.