Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

‘QIKA’ ne aksion tjetër para Klan Kosovës, kërkon që ‘të mos normalizohet dhuna’

 
   

Mëngjesin e sotëm, më 05.11.2024, organizata jo qeveritare “Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA” ka zhvilluar një aksion para objekteve të televizionit Klan Kosova.

Ky aksion është bërë pasi mbrëmë, më 04.11.2024, Atilla Kardesh, i cili ishte denoncuar në Policinë e Kosovës si i dyshuar për dhunë në familje, është futur në spektaklin televiziv “Big Brother Vip Kosova” në Klan Kosova.

“Nuk mund ta normalizoni dhunën ndaj grave” – ka qenë thirrja e “QIKA”.

Një reagim është bërë edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës, e cila ka shprehur shqetësimin për promovimin publik të personave të dyshuar për dhunë me bazë gjinore.

“Ajo që ka ndodhur mbrëmë në një shoë në Klan Kosova, është e papranueshme dhe bie ndesh me përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar dhunën me bazë gjinore, një fenomen i përhapur që cenon mirëqenien e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë” – u tha në reagimin e RrGK-së.

Tutje sipas Rrjetit të Grave, të promovosh figura të përfshira në raste të tilla nuk është vetëm e papërgjegjshme, por sipas kësaj organizate dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të tolerohet apo të minimizohet.

“Bëjmë thirrje që mediat të marrin përgjegjësinë për të reflektuar seriozitetin që e ka ky problem dhe të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit” – theksohet më tej.

Gjithashtu u shtua se dhuna me bazë gjinore duhet të dënohet pa asnjë hezitim dhe duhet të luftohet me vendosmëri nga të gjithë në çdo mënyrë që munden – për një shoqëri më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë.

Edhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbrëmë, më 04.11.2024, pak pas mesnatës ka zhvilluar një aksion me grafite në muret e ambienteve të televizionit Klan Kosova.

“Klani dhunon gratë”, “Bojkoto Klanin”, janë disa nga mbishkrimet.

Atilla Kardesh është ish-bashkëshorti i Drenusha Latifit, e cila që nga fillimi i këtij edicioni të “Big Brother Vip Kosova”  ka qenë banore e shtëpisë.Latifi kishte denoncuar Kardesh për dhunë ndaj saj, duke treguar edhe publikisht që gjatë kohës sa ka qenë e martuar me këtë të fundit ka pësuar dhunë fizike nga ai.