Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Çitaku: Kosova mund të përfitojë shumë nga Trump, Kurtit s’po i bie tamam asnjë politikan amerikan

 
   

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se Kosova mund të përfitojë shumë nga presidenti i sapo zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donlad Trump.

Çitaku, e cila ka qenë edhe ambasadore e Kosovës në Uashington, deklaron se orientimet strategjike të SHBA-së ndaj Kosovës nuk do të ndryshojnë, mirëpo nënvizon se natyra e raporteve mund të varen se kush i udhëheq institucionet në vend.

Çitaku në një intervistë kritikon kryeministrin Albin Kurti edhe vartësit e tij se kanë sjellë raportet me SHBA-në në pikën më të ulët.

Çitaku: Orientimet strategjike të SHBA-së ndaj Kosovës nuk ndryshojnë

“Ajo çka e karakterizon politikën amerikane në tri dekadat e fundit në raport me Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, por me Kosovën në veçanti është konsistenca dhe është mirëmbajtja e orientimeve strategjike, qoftë nga administratat republikane ashtu dhe ato demokrate. S’ka pasur ndonjë devijim apo ndonjë çarje në pikat strategjike. Ajo çka ka dalluar ndonjëherë është dinamika, toni, gjuha, stili, por në thelb dhe esencë edhe demokratët dhe republikanët e kanë mirëmbajtur mbështetjen për Kosovën dhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen euro-atlantike”, thotë ajo.

Sipas saj, për shkak të sjelljes së papërgjegjshme dhe aventureske të kryeministrit Kurti, raportet me SHBA-në janë ftohur dhe pa ndonjë gjë konkrete.

Çitaku: Raportet me SHBA-në varen se kush i udhëheq institucionet në Kosovë

“Natyra e raporteve të SHBA-së me Kosovën nuk varet vetëm nga kush i fiton zgjedhjet atje, por edhe nga kush i udhëheq institucionet në këtu. Ne në katër vitet e fundit e kemi pasur në ShBA një president që ka qenë i familjarizuar deri në detaje me çështjen e Kosovës dhe i përfshirë drejtpërdrejtë në të gjitha proceset e rëndësishme në Kosovë dhe Ballkan në tri dekadat e fundit. Joe Biden ka qenë dhe vazhdon të jetë mik i madh i Kosovës. Mirëpo, për shkak të sjelljes së papërgjegjshme, aventureske të kryeministrit tonë, të qeverisë dhe institucioneve tona fatkeqësisht raportet me ShBA-në kanë arritur nivele që si kemi parë më herët. Jashtëzakonisht të ftohura dhe pa ndonjë gjë konkrete”, tha Çitaku.

Megjithatë, Çitaku është më e rezervuar se si do të jetë qasja e administratës së re amerikane ndaj kryeministrit Kurti. Mirëpo, ajo thotë se Kurtit nuk po i bie tamam asnjë udhëheqës politikë në SHBA, teksa i përmendi raportet e tij me ish-emisarin amerikan Richard Grenell.

Çitaku: Kurti ka sjellë në nivel të ulët raportet me SHBA-në

“Fatkeqësisht në Kosovë kemi një kastë udhëheqëse, e cila raportin me SHBA-në e ka sjellë në nivele të ulëta dhe koordinimin me ShBA-në e sheh si nënshtrim… Ne duhet të jemi shumë të përgjegjshëm dhe shumë të kalibruar me gjuhën që përdorim kur flasim për partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtar, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Eksponentë të lartë të LVV-së e kanë trajtuar me shpërfillje jo vetëm zotëri Grenell, por edhe zotëri Escobar, madje kryeministri Kurti e ka quajtur sekretarin Blinken si naiv. Ka konsistencë në natyrën konfrontuese që kryeministri Kurti kërkon në raport me SHBA-në. Askush nuk po i bie tamam, as Trump, as Biden, as Obama, as Bush dhe as Clinton. Ndoshta është momenti që ne të shohim vetëm në pasqyrë dhe ndoshta problemi është te ne”, deklaron ajo.

Sipas saj, presidenti Trump nuk është një politikan klasik dhe se kryesisht është i orientuar drejt rezultateve konkrete dhe Kosova mund të përfitojë jashtëzakonisht shumë nëse është e bashkërenduar me amerikanët.

Çitaku: Kosova mund të përfitojë shumë nga presidenti Trump

“Ajo çka mund të ndryshojë është dinamika, gjuha. Presidenti Trump nuk është politikan klasik, ai është jo konvencional dhe sigurisht është më i orientuar drejt rezultateve. Mbetet të shihet se si do të duket administrata Trump në përgjithësi sepse çështja e Kosovës nuk do të jetë çdo ditë në tavolinën e presidentit të SHBA-së. Mbetet të shihet sesi do të duket administrata. Kush do të jetë sekretar për shtetin, sekretar për mbrojte, kush do të jetë këshilltar për siguri kombëtare. A do të ketë të deleguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi? Janë shumë detaje që do t’i mësojmë më vonë do të na shpalosin fotografinë e administratës Trump në dialogun Kosovë-Serbi. Por është e rëndësishme që raportin me SHBA-në të mos reduktojmë vetëm në çështjet e dialogut Kosovë-Serbi. Kosova mund të përfitojë shumë nga bashkërendimi dhe koordinimi me SHBA-në në shumë fusha”, përfundon ajo.