Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Nëna po vraponte drejt tij”, detaje të rënda nga vrasja në Gjilan: U qëllua nga disa persona me biçikleta

 
   

Sot gjatë ditës, në rrugën ‘’Mërgimtarët e Gjilanit’’, në Gjilan, rreth orës 14:00, mbeti i vrarë 37-vjeçari Sokol Osmani, nga persona ende të panjohur për organet e rendit.

Për rastin, Prokuroria në njoftimin e tyre bëri të ditur se viktima u qëllua me armë zjarri, teksa për zbardhjen e detajeve thanë se janë duke u marr organet e rendit.

E, detaje kanë dhënë edhe banorët e lagjës ku ndodhi vrasja, të cilët thanë se viktima u qëllua dy herë.

“Disa persona me biçikleta ia kanë zënë pritën të ndjerit, derisa ai po dilte nga një lokal. Viktima sapo ka dalë është qëlluar me plumb në zemër dhe në kokë, dhe sapo i ndjeri është shtrirë në tokë, në drejtim të tij ka vrapuar nëna e tij që ndodhej këtu afër”, thanë banorët.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Gjilanin, Ismet Hashani, i cili bëri të ditur se viktima mbeti në vend pa shenja jete.

“Rreth orës 13:52 kemi pranuar informacion se një person është i shtrirë skaj rrugës ”Mërgimtarët e Gjilanit” në qytetin e Gjilanit. Njësitet policore relevante kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes se bashku me një ekip nga emergjenca e spitalit të Gjilanit të cilët ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Nga hetimet e para dyshohet se viktima shtetas i Kosovës i vitit të lindjes 1987 është qëlluar nga armë zjarri”, tha Hashani.