Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çitaku: Nuk ka asnjë projekt të realizuar nga kjo qeveri – i vetmi produkt dialogu

 
   

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se dialogu me Serbinë është i vetmi produkt i qeverisë së Albin Kurtit, për katër vjet të mandatit të tij.

Në një bisedë për Ekonomia Online, ajo ka theksuar se Kurti kishte marrë detyrën duke pasur në tryezë letra nga presidentët amerikanë që kërkonin një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse, me njohjen reciproke në qendër, por që sipas saj, me sjellje të “papërgjegjshme” e “aventureske” të qeverisë, Kosova sot ka rezultuar me një marrëveshje që nuk është as gjithëpërfshirëse dhe nuk ka njohjen reciproke në qendër.

Sipas saj, edhe Asociacioni për komunat me shumicë serbe, i pranuar nga qeveria aktuale, është një autonomi territoriale dhe politike.

“Kur kryeministri Kurti e ka marrë detyrën ai ka gjetur në tavolinë letrat e njëpasnjëshme të presidentëve amerikanë të cilët në mënyrë eksplicite, e zezë në të bardhë, kërkonin një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, me njohjen reciproke në qendër edhe falë sjelljes së papërgjegjshme dhe qasjes aventureske të kësaj qeverie, ne përfunduam më një marrëveshje e cila nuk është as finale, as gjithëpërfshirëse, nuk e ka në qendër njohjen reciproke, por mosnjohjen reciproke. Dhe nuk flitet më për Asociacion, por për një autonomi territoriale dhe politike. Në këtë pikë kemi arritur për shkak se kryeministri me kokëfortësi ka refuzuar që të bashkërendojë hapat me aleatët tanë kryesorë dhe si rezultat çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nga aleatët tanë ka pushur së trajtuari si problem politik dhe është trajtuar ekskluzivisht nga thjerrëzat e sigurisë, pra të ruajtjes së paqes, mirëmbajtjes së paqes dhe kjo shihet edhe me shtimin e ushtarëve të KFOR-it”, ka thënë ajo.

Çitaku ka shtuar se Kurti ka shkelur premtimet e tij që nuk do të hynte në procesin e dialogut pa njohje, pa kërkim falje, pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve e pa pagimin e dëmeve të luftës.

“E vetmja gjë konsistente e kësaj qeverie në raport me dialogun është mungesa e konsistencës. Kur kryeministri Kurti pat fituar zgjedhjet, ai pat fituar me premtimin që nuk do të hyjë në procesin e dialogut pa njohje, pa kërkim falje, pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve, pa pagimin e dëmeve të luftës e të tjera. Premtimi apo zotimi i parë u shkel menjëherë, në ndërkohë që kryeministri Kurti vazhdimisht ka thënë që dialogu nuk është prioritet, herë thoshte që është prioriteti i 12, herë i 7, here i 5. Mirëpo, në fund e vetmja gjë që ka bërë kryeministri Kurti është dialogu me Serbinë. Nuk e kemi një projekt të vetëm të nisur dhe të realizuar nga kjo qeveri. I vetmi produkt i kësaj qeverie është marrëveshja e Ohrit apo e Brukselit, e cila në masë të madhe reflekton humbjen e ambicies së aleteve tanë për ta arritur një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me njohje reciproke në qendër”, ka thënë ajo.

Gjithashtu, zyrtarja e PDK-së kritikoi qeverinë edhe për refuzimin e dialogut social dhe për qasjen ndaj mendimeve ndryshe. Ajo tha se qeveria është përpjekur që të nënshtrojë sindikatat, bizneset, opozitën dhe institucionet e pavarura, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese dhe mediat.

“Një gjë që e karakterizon këtë qeveri është refuzimi i dialogut social, dialogut politik dhe anatemimi i mendimit ndryshe. Kemi parë një përpjekje në rritje të eksponentëve të lartë të qeverisë për të nënshtruar sindikatat, bizneset, opozitën, institucionet e pavarura, gjyqësorin, Gjykatën Kushtetuese dhe pa shmangshëm si rezultat i këtij mentaliteti qeverisës beteja me fjalën e lirë, me mediat ka arritur përmasa të rrezikshme deri në atë pik sa janë instrumetalizuar edhe institucionet e pavarura siç është AKI-ja dhe mekanizma të tjerë të sigurisë. Një qasje e tillë është e rrezikshme, është e pa pranueshme dhe nuk kalon në këtë shoqëri”, ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.