Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kosovë, pritshmëritë nga administrata e re amerikane

 
   

Udhëheqësit në Kosovë, presidentja, kryeministri dhe drejtuesit e të gjitha partive politike në Kosovë, uruan ish Presidentin amerikan Donald Trump për fitoren në zgjedhjet e së martës duke shfaqur shpresën për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.

Mandati i parë i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë u karakterizua nga marrëdhënie të tensionuara me qeverinë e parë të kryeministrit Albin Kurti.

Shtëpia e Bardhë siguroi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila u nënshkrua në shtator të vitit 2020 në praninë e presidentit Donald Trump.

Marrëveshja u nënshkrua disa muaj pas rrënies të qeverisë së parë të kryeministrit Kurti i cili nuk u pajtua me kërkesat amerikane për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe që ishin vendosur në nëntor të vitit 2018 si kundërpërgjigje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ishte pjesë e pushtetit, u tërhoq nga koalicioni duke çuar në rrëzimin e qeverisë së zotit Kurti, që u pasua nga një qeveri e re që nënshkroi marrëveshjen në Washington.

Kryeministri Albin Kurti në atë kohë akuzoi të dërguarin amerikan Richard Grenell se “është përfshirë duke çuar përpara votimin që rrëzoi qeverinë” e tij.

Zoti Grenell, një bashkëpunëtor i ngushtë i zotit Trump është përfolur si kandidat për postin e Sekretarit të Shtetit në administratën e ardhshme të presidentit Trump.

Analisti Agon Maliqi thotë për Zërin e Amerikës se pritshmëritë janë që zoti Grenell të angazhohet përsëri për rajonin.

“Se si do të ndikojë kjo pastaj mbetet të shihet nga konstelacioni i qeverisë së re në Kosovë, nga mënyra se si Bashkimi Evropian sillet dhe në këtë moment është pak e vështirë të parashikohet”, tha ai.

Zoti Maliqi thotë se megjithëse e kaluara ka pak ndikim në politikë, shqetësuese mbetet qasja e qeverisë së Kosovës ndaj administratave amerikane.

“Gjatë (administratës) Biden edhe pse kishim mospajtime të thella, pakënaqësi shumë të qartë të shprehur nga administrata Biden megjithatë kishte edhe një lloj mirëkuptimi mbi veprimet e qeverisë së Kosovës dhe një lloj tolerance për këtë lloj qasje, gjë që dyshoj se mund të vazhdojë me një administratë amerikane e cila jo vetëm në raport me Kosovën por me pothuajse çdo aleat të SHBA-ve e ka një qasje transnacionale në kuptimin që ‘ne do të jemi me juve për aq sa ju do të jeni me neve”, tha ai.

Një çështje që mori shumë vëmendje gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump ishte edhe ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje paqësore ndërmjet dy vendeve.

Diskutimet zunë fill në verën e vitit 2018. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump, John Bolton, i cili u largua nga posti, më 24 gusht të atij viti tha se “Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nëse palët merren vesh, nuk do të bëhen pengesë”

Një ditë më pas presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një debat gjatë forumit të Alpbachut në Austri, kërkuan mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që mund të arrihej në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, edhe nëse ajo nënkuptonte ndryshim kufijsh.

Kjo ide u prit me reagime të ashpra në Kosovë dhe në Serbi, si dhe u kundërshtua nga një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian mes të cilave Gjermania ishte më e zëshmja.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, mohoi disa herë që Shtetet e Bashkuara të kenë qenë pjesë e diskutimeve për shkëmbim territoresh.

Këtë javë, kjo cështje u ngrit gjatë një seance dëgjimore në Parlamentin Evropian për konfirmimin e kandidates për postin e komisioneres së zgjerimit të Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cila tha se është kundër tendencave për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo, jo, nuk bëhet fjalë. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, tha ajo e pyetur nga deputeti slloven Vladimir Prebiliç.

Analisti Agon Maliqi tha për Zërin e Amerikës se e sheh të vështirë rikthimin e një ideje të tillë veçanërisht pasi dështoi njëherë. Por sipas tij, një mundësi e tillë varet edhe nga suksesi i procesit aktual të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Sa më shumë që zgjatet procesi i Brukselit pa zgjidhje dhe zvarritet më shumë gjithçka është e mundur. Edhe herën e kaluar kur u hap kjo temë ishte befasi. Sa më shumë që dështon dialogu i Brukselit për ta zgjidhur kontestin në kornizën e marrëveshjes së Ohrit gjithnjë e më shumë hapen mundësitë për zgjidhje tjera alternative sepse edhe Kosova edhe Serbia po mbesin peng dhe rruga e tyre integruese, sidomos te Kosova te strukturat euro-atlantike nuk është askund”, tha ai.

Megjithatë, sipas zotit Maliqi, Kosova e cila është lën në sanksione nga Bashkimi Evropian dhe me ndryshimin e administratës në Washington duket se do të gjej vetën në një realitet të ri.

“Ajo që duhet thuhet gjithsesi është se Serbia në këtë moment ndihet në pozitë pak më të mirë, që jo detyrimisht do të jetë e vërtetë, por perceptimi dhe ndjenja në Beograd është se tani ata do të përballen me më pak presion rreth çështjes së dialogut apo se ata mund të kenë më shumë ndikim në diktimin e parametrave të dialogut dhe kjo është diçka që në Prishtinë duhet të kenë parasysh”, tha analisti Agon Maliqi.