Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dështimi i konkurseve për gjyqtarë e prokurorë serb, kërkohet zgjidhje politike

 
   

Në sistemin gjyqësor e prokurorial tash e një kohë janë duke dështuar konkurset, që po hapen për komunitetin serb. Kjo për shkak se nuk ka aplikime nga ana e tyre.

Konkursi për 4 prokurorë serb, pritet që të rishpallet serish, meqë në konkursin e kaluar nuk pati asnjë të interesuar.

Nga Këshilli prokurorial kanë thënë se nuk i dinë arsyet e mosinteresimit nga komuniteti serb, porse thonë se kjo paraqet problem serioz, për zbatimin e objektivave për transparencë.

“Ju informojmë se konkursi ka qenë publik dhe nuk ka pasur aplikime nga ana e kandidatëve të komunitetit serb, kurse nuk i dimë se arsyet se përse nuk ka aplikuar asnjë kandidat nga radhët e komunitetit serb. Gjithashtu natyrisht se ka edhe prokurorë serbë që kanë dalë në pension dhe duhet të plotësohen pozitat vakante dhe mungesa e prokurorëve serbë paraqet problem serioz për zbatimin e objektivave për transparencë dhe  rritje të besimit të publikut në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës. Ndërkohë është duke u shqyrtuar koha më e përshtatshme e rihapjes së konkursit për këto pozita.”

Por, ky nuk është konkursi i parë, që dështon për shkak të mosinteresimit nga komuniteti serb. Me një problem të tillë. Kamë përballur edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të cilët kanë rishpallur konkursin për dy pozita për komunitetin serb, në Gjykatën Komerciale.

“Me datën 02 gusht 2024,  ka qenë konkursi i hapur për dy pozita për komunitetin serb në Gjykatën Komerciale, një për shkallën e parë dhe një për shkallën e dytë. Nuk ka pas kandidat në këtë konkurs nga komuniteti serb. Me datën 31 tetor 2024 është marrë vendim në mbledhjen e KGjK-së për tu rishpallur po të njëjtat pozita.“

Sipas, avokatit Yll Zekaj çështja e mosinteresimit nga komuniteti serb, për këto pozita është e lidhur me dorëheqjet masive të komunitetit serb, nga institucionet publike më 2022.

“Kjo është një çështje politike dhe është problem të zgjidhet përmes inkuraimit nga ana e institucioneve relevante, duke marr parasysh se tani janë duke u bërë dy vite që të gjithë ata që ishin pjesë e sistemit gjyqësor e prokurorial, të gjithë gjyqtarët e prokurorët serb dhanë dorëheqje dhe u larguan nga këto institucione dhe kjo tani më ka ndodhur për shkak të presionit të madh të Serbisë, besoj që kjo është arsyeja kryesore”, ka deklaruar ai.

Zekaj tutje shton se për këtë duhet të gjetur një zgjidhje politike, dhe se duhet edhe reagimi i bashkësisë ndërkombëtare.

“Pa një zgjidhje politike pa një presion politik, sidomos nga faktori ndërkombëtar për të bindur shtetin serb, që të largojë presionin nga serbët e Kosovës, të njëjtit nuk do të mund të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës, deri atëherë pritet që qeveria e Kosovës, të inkurajojë faktorin ndërkombëtar që të jenë palë në bisedime, dhe të bindin Serbinë, për të ndalur presionin tek qytetarët serb”, ka deklaruar ai.

Në nëntor të 2022, si shkak i vendimeve të qeverisë së Kosovës, rreth 500 zyrtarë të policisë së Kosovës, e qindra të punësuar në Gjykata e në Prokurori, dhanë dorëheqje.