Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti: Jemi të gatshëm për bashkëpunim me administratën e re amerikane

 
   

Kryeministri Albin Kurti tha të hënën se qeveria e tij është e gatshme dhe interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me administratën e re të Shteteve të Bashkuara ndërsa theksoi se marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të zbatohet para asaj të Washingtonit të vitit 2020.

“Unë mund të jem përgjegjës për marrëveshjet në të cilat kam marrë pjesë dhe kam pranuar dhe pres të njëjtën gjë edhe nga pala e Beogradit edhe pse ata e shtypin dhe nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Le të fillojmë me marrëveshjen e fundit, që është një marrëveshje gjithëpërfshirëse sepse ajo normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë së paku përmes njohjes de facto”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë siguroi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila u nënshkrua në shtator të vitit 2020 në praninë e presidentit Donald Trump.

Marrëveshja u nënshkrua disa muaj pas rënies të qeverisë së parë të kryeministrit Kurti i cili nuk u pajtua me kërkesat amerikane për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që ishin vendosur në nëntor të vitit 2018 si kundërpërgjigje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Mandati i parë i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë u karakterizua nga marrëdhënie të tensionuara me qeverinë e parë të kryeministrit Albin Kurti.

Kryeministri Albin Kurti tha sot pas një vizite në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë se do të ketë komunikim e bashkëpunim në të ardhmen me presidentin e rizgjedhur amerikan Donald Trump.

“Unë bëj raporte zyrtare, shtetërore dhe politike. Kush i ka raportet me kë më mirë nuk e di atë punë, nuk mund ta them tani, por duhet të presim, të japim pak kohë dhe të ecim përpara”, tha ai duke nënvizuar se qeveria e tij do të punojë me çdo administratë të Shteteve të Bashkuara.

“Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që është një njëkohësisht edhe president i kaluar në një letër urimi që i kishte dërguar një pararendësi para kësaj qeverie po ashtu ka vendosur në thelb njohjen reciproke si diçka qendrore për raportet e ardhshme normale midis Kosovës dhe Serbisë dhe ne dëshirojmë, jemi të gatshëm dhe shumë të interesuar ta vazhdojmë këtë bashkëpunim, pse jo ta zgjerojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim i cili shprehët jo vetëm në aspektin diplomatik”, tha kryeministri Kurti.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç njoftoi ndërkaq të dielën se ka biseduar në telefon me presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump pak ditë pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara.

Përmes një video mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, presidenti serb tha se biseda me zotin Trump ishte e shkëlqyer, domethënëse dhe e përzemërt.

“Shfrytëzova rastin që me dëshirën për të përmirësuar më tej marrëdhëniet tona në të gjitha sferat e jetës shoqërore, shpreha shpresën se ai do të vizitojë Serbinë, sepse Serbia ishte vendi ku mbështetja për Presidentin Trump në këto zgjedhje ishte më e larta në Evropë”, tha ai duke nënvizuar se presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump e falënderoi për mbështetjen e madhe nga populli serb.

Ish presidenti Donald Trump pritet të rikthehet në postin e presidentit amerikan pasi në zgjedhjet e javës së kaluar fitoi përballë kandidates demokrate Kamala Harris.