Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Apelimi i vendimit të Themelores në rastin e Pjetër Shalës, zgjatet afati për dorëzimin e përgjigjeve nga ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave

 
   

Apelimi i vendimit të Themelores në rastin e Pjetër Shalës, zgjatet afati për dorëzimin e përgjigjeve nga ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim që Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësit të viktimave t’iu zgjatet afati për dorëzimin e dosjeve të tyre, të cilat janë përgjigje kundrejt apelimit të vendimit të Themelores nga ana e Pjetër Shalës.

Kjo erdhi si rezultat i zgjatjes së afatit për dorëzimin e dosjes së apelit për mbrojtjen e Pjetër Shalës, e që si datë ishte vendosur 25 nëntori 2024, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, mbrojtja e viktimave dhe ZPS tashmë kanë afat që dosjet e tyre t’i dorëzojnë deri më 17 janar 2025, ndonëse afati fillestar ishte deri më 27 dhjetor 2024.

Ndryshe, më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbirtrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.