Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Me letra e pa letra, atë e dua në burg”: Fatmir Limaj flet për ‘montimin’ e një rasti kundër tij, tregon detaje

 
   

Ish-ministri i infrastrukturës, Fatmir Limaj, ka thënë se akuzat e tij për korrupsion e krim të organizuar gjatë kohës sa po e drejtonte këtë dikaster ishin të montuara dhe të iniciuara politikisht kundër tij.

Limaj ka rrëfyer detaje interesante nga jeta e tij politike.

Limaj ka treguar sesi një hetues i lartë i EULEX-it ishte larguar nga Kosova dy javë pas bastisjes në banesën dhe zyrat e tij, për shkak se i njëjti kishte vërejtur ndikime politike në rastin e Limajt.

Të gjitha këto Limaj i kishte kuptuar pasi dikush nga brenda EULEX-it i kishte dërguar letra se si kishte ardhur deri te ngritja e aktakuzës ndaj tij.

“Në rastin e ministrisë më ka ndodhur një gjë interesante. Dy javë pas bastisjes në shtëpi një letër më ka ardhur nga një hetues i EULEX-it me kërkesën për t’u takuar. Unë këtë e kam marrë si provokim dhe me muaj e muaj të tërë nuk kam pranuar të takohem më të. Pasi që u takova me të, pas shumë insistimeve, ai më tregoi se si kishte ndodhur ngjarja. Mëngjesin e bastisjes kishin marrë urdhër nga prokurorja e rastit ani pse ndaj meje nuk ishte zhvilluar asnjë hetim më parë dhe kjo çështje ishte ngritur nga hetues të lartë aty, mirëpo e njëjta i kishte urdhëruar ata të zhvillonin bastisje duke thënë “Me letra e pa letra atë e dua në burg” – edhe nuk kanë ditë asnjë gjë kur kanë kryer bastisjen. Ata kanë menduar se ne paratë e ministrisë i mbajmë nëpër arka e nuk e kanë ditur as që kemi arkiv.

Gjatë bastisjes një shef i hetimeve me nacionalitet suedez i ka thënë gruas dhe vëllait tim se nëse mua do të më ndodhte kështu në Suedi atëherë unë do t’i godisja hetuesit në kokë. Ai iu ka thënë se në shtëpi janë të futur politikisht dhe se janë duke vepruar si instrument i politikës, duke u ndier i fyer me punën që është duke e kryer. Pas dy javës ai hetues është larguar nga Kosova dhe është kthyer në Suedi”, ka rrëfyer Limaj në Paradoks.